Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend deri në orën 20:00 të së martës, 25 gusht, duke raportuar 24 vatra të evidentuara gjatë ditës.
Nga këto, 6 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera po mbahen nën monitorim. Në terren janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë ofruar mbështetje me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.
Zona që vijon të paraqesë më shumë vështirësi është Mali i Dajtit, ku zjarri mbetet aktiv në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës. Për shuarjen e flakëve po punojnë 40 zjarrfikës, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 punonjës të ADZM-së, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër, situata vijon të monitorohet në dy zona. Në Ballenjë ka ende një vatër aktive, ku po punojnë 5 forca të ADZM-së, ndërsa në Qafë të Helmës në Bulqizë janë angazhuar 4 efektivë të MZSH-së. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Malin e Dardhës në Librazhd, një vatër është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7-8 hektarësh. Efektivët e MZSH Librazhd vijojnë ndërhyrjen, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se banesat nuk janë të rrezikuara.
Ndërkohë, zjarret në zonën Gjegjan-Gojan-Prozhëm-Tërbun në Pukë janë izoluar. Në këtë territor nuk ka më vatra aktive dhe po kryhet vetëm monitorimi i situatës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatës.
Forcat dhe mjetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme, me fokus kryesor mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.













