Nimani ‘zbulon’ skenarin që po e pret Kosovën: Partitë tashmë po kalkulojnë zgjedhjet!

Politika

Nimani ‘zbulon’ skenarin që po e pret Kosovën: Partitë tashmë po kalkulojnë zgjedhjet!

Nga: A.SH Më: 6 shtator 2026 Në ora: 15:56
Kuvendi i Kosovës

Deklarata e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President, ka vënë në pikëpyetje sigurimin e votave dhe kuorumit të nevojshëm.

Në këtë situatë, një mundësi është rikthimi i dialogut me AAK-në. Kryetari i saj, Ardian Gjini, kishte deklaruar se AAK-ja do ta bëjë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit, nëse plotësohen kushtet e propozuara nga kjo parti.

Analisti politik, Artan Nimani ka thënë se qëndrimet e ndryshme të gjashtë deputetëve të LDK-së tregojnë pluralizëm dhe demokraci brenda partisë, por njëkohësisht po ndikojnë në zgjidhjen e krizës institucionale.

Duke folur për AAK-në, Nimani tha se kjo parti ka bërë një ofertë konkrete për kryeministrin Kurti, e cila, sipas tij, është në interes të shtetit dhe jo vetëm të AAK-së.

“Ja historikisht ka pasur qëndrime të ndryshme brenda vetes dhe fakti që edhe sot gjashtë deputetë shprehen ndryshe nga kryetari i partisë, në një aspekt, tregon pluralizëm, demokraci dhe personalitet politik brenda saj. Mirëpo, kjo situatë tashmë po ndikon drejtpërdrejt në zgjidhjen e krizës institucionale.

Sa i përket AAK-së, ajo tashmë ka bërë një ofertë konkrete për kryeministrin Kurti. Pikat e propozuara nuk janë vetëm në interes të AAK-së, por, nëse analizohen seriozisht, mund t’i shërbejnë çdo qeverie dhe vetë interesit të shtetit. Problemi është se deri tani kjo ofertë nuk është marrë seriozisht në konsideratë, madje as nga partia fituese”, tha ai.

Nimani vlerëson se Kosova ka kaluar afatet kushtetuese dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Sipas tij, tashmë partitë politike po kalkulojnë datën më të favorshme, ndërsa 16 shtatori mund të jetë një pikë kthese në zhvillimet politike.

“Tashmë kemi kaluar çdo afat kushtetues dhe, sipas vlerësimit tim, veprimet e mëtejshme në këtë situatë janë kryesisht antikushtetuese dhe vështirë se mund të prodhojnë ndonjë efekt politik apo institucional.

Prandaj, mendoj se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Pyetja nuk është më nëse do të ketë zgjedhje, por kur do të mbahen. Partitë tashmë po kalkulojnë afatet dhe momentin që u përshtatet më shumë politikisht.

Në këtë kontekst, 16 shtatori mund të jetë një datë shumë e rëndësishme, e cila mund të ndryshojë rregullat e lojës jo vetëm në politikë, por edhe në shumë aspekte të tjera të zhvillimeve në Kosovë” – pëfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat