Detaje të reja janë zbardhur sërish nga hetimi për vrasjen e Lulieta Obzovës në Nea Smyrni të Athinës, e cila dyshohet se u vra nga partneri i saj, shqiptari Altin Allmuça.
Autoritetet greke po analizojnë provat e mbledhura në banesë, të dhënat e telefonave celularë dhe pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit dhe marrëdhënies mes viktimës dhe 48-vjeçarit, raportojnë mediat greke.
Sipas mediave greke, hetuesit disponojnë edhe një video që tregon lëvizjet brenda ndërtesës pak para se të dëgjoheshin të shtënat. Dyshohet se Allmuça kishte vendosur një person tjetër jashtë banesës për të vëzhguar momentin kur gruaja do të dilte.
Nga të dhënat paraprake, kur Obzova hapi derën e apartamentit, 48-vjeçari dyshohet se e kërcënoi me armë dhe e detyroi të ulej në gjunjë. Më pas ai qëlloi dy herë. Plumbi i parë nuk e preku, ndërsa i dyti rezultoi fatal.
Në hetim janë edhe dyshimet për kërcënime të mëparshme ndaj 45-vjeçares. Sipas informacioneve të publikuara, ajo kishte frikë për sigurinë e saj dhe kishte ndryshuar edhe bravat e banesës ku jetonte me vajzën e saj të mitur.
Kontrollet janë shtrirë edhe në automjetin e Allmuçës, ku janë gjetur fishekë të të njëjtit kalibër me ato që dyshohet se janë përdorur në krim. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë armën konkrete me të cilën u krye vrasja.













