Një krim i rëndë ka tronditur Nea Smyrnin në Athinë, ku 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuca dyshohet se ka vrarë me armë zjarri 45-vjeçaren Julieta Obzova, gjithashtu shqiptare, dhe më pas ka vrarë veten.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, në hyrje të pallatit ku banonte 45-vjeçarja. Sipas hetimeve paraprake, Allmuca dyshohet se e kishte pritur gruan në automjetin e tij dhe, sapo ajo është shfaqur në hyrje të ndërtesës, i është afruar dhe e ka qëlluar me armë.
45-vjeçarja ka mbetur e vdekur në vend, ndërsa pak çaste më vonë 48-vjeçari dyshohet se ka drejtuar të njëjtën armë ndaj vetes dhe ka vrarë veten.
Sipas mediave greke, dy viktimat kishin pasur një lidhje mes tyre, ndërsa paraprakisht hetuesit dyshojnë se shkaku i krimit ka motive xhelozie.
Mediat greke kanë publikuar edhe fotografi të Allmucës në rrjetet sociale, ku ai shfaqet duke pozuar me armë zjarri. Ende nuk është e qartë nëse armët që shfaqen në këto fotografi kanë lidhje me armën e përdorur në krim.Sipas informacioneve të deritanishme, 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Bashkëshortja e tij ka deklaruar para autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien e tij me 45-vjeçaren.
Policia greke po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivin që çoi në krimin e dyfishtë.













