Gjykata e Vlorës ka dhënë masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në “Regina Palm”, në Radhimë.
Për Angjelo Breshanin është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për Luan Muçën është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”.
Për tre të arrestuarit e tjerë, Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e dhënë në ambientet e spitalit.
Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të saj.
Ngjarja
Sipas Policisë së Vlorës, ngjarja ka nisur rreth orës 11:30, kur Bedinaj ka njoftuar uniformat blu se disa persona kishin shkuar në hotelin e tij dhe, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kishin kërkuar 5 milionë euro.
Sipas dëshmisë së tij dhe veprimeve të para hetimore, biznesmeni është kërcënuar gjithashtu se duhej të largohej nga Shqipëria brenda 48 orëve.
Pas marrjes së njoftimit, Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës, në Dhërmi, si dhe në qarqet Fier e Gjirokastër.
“Range Rover”-i nuk ndalon në postbllok
Rreth orës 12:00, në një pikë kontrolli në Rrethin e Alikokës, një “Range Rover” i zi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Automjeti ka vijuar lëvizjen në drejtim të Peshkëpisë, ndërsa efektivët janë vënë në ndjekje.
Në zonën e Urës së Peshkëpisë, drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti doli nga rruga, duke përplasur barrierat mbrojtëse.
Në automjet ndodheshin Luan Muça, 55 vjeç, drejtues i mjetit, dhe vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, të dy punonjës të një shërbimi privat të sigurisë.
Muça dhe Mandrit Lleshaj mbetën të dëmtuar dhe u dërguan në Spitalin Rajonal të Vlorës. Sipas Policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjet një pistoletë, së bashku me një karikator me 16 fishekë luftarakë.
Një tjetër automjet, me dëmtime nga të shtënat
Rreth orës 13:00, në një pikë kontrolli të ngritur nga Policia e Fierit, në Mbikalimin e Memorialit, u ndalua një tjetër automjet i shpallur në kërkim.
Në drejtimin e tij ishte shtetasi kosovar Blerim Heta, 40 vjeç.
Gjatë kontrollit, policia konstatoi dëmtime në xhamin e krahut të pasagjerit, që dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë zjarri. Në automjet u gjetën gjithashtu tre fishekë pistolete.
Audi A8 digjet në bypass-in e Vlorës
Rreth orës 16:30, pranë fshatit Kaninë, në bypass-in e Vlorës, u konstatua duke u djegur një automjet tip “Audi A8”.
Policia dyshon se automjeti është përdorur nga persona të përfshirë në ngjarje.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar gjithashtu se gjatë përplasjes në ambientet e hotelit, shtetasi Angjelo Breshani ka marrë armën e zjarrit që Bedinaj e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave të tjerë.
Policia sqaron se nuk ka pasur të shtëna brenda ambienteve të hotelit, ndërsa përplasja me armë ka ndodhur në oborr.
LEXO EDHE:
Lejet e Edi Ramës i vunë zjarrin sherrit në Radhimë/ Çfarë pretendojnë Vasil Bedinaj dhe Luan Muça













