Lajmet e fundit

Irani tha të dielën se forcat e tij sulmuan një dron detar amerikan që po përpiqej të hynte në Ngushticën e Hormuzit, disa orë pasi shënjestruan anije në kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane ndaj tri cisternave të naftës.
Rundi i fundit i përplasjeve, i cili nisi me sulmet amerikane javën e kaluar, vjen në një kohë kur lufta gjashtëmujore mes tyreShteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një ngërç.
Irani ka ruajtur kontrollin mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit, ndërsa Uashingtoni vazhdon bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
Uashingtoni po synon po ashtu që të godasë ekonominë iraniane, duke vendosur sanksione ndaj subjekteve që kanë lidhje financiare me Republikën Islamike, në përpjekje për ta detyruar atë të nënshtrohet.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), thanë të dielën se “sulmuan një mjet lundrues ushtarak amerikan pa ekuipazh” që po përpiqej të hynte në ngushticë, sipas një deklarate që u transmetua nga televizioni shtetëror.
Disa orë më herët, IRGC-ja tha se forcat e saj detare “shënjestruan tri cisterna nafte në një rrugë të paautorizuar në Ngushticën e Hormuzit dhe tri anije të lidhura me Amerikën vrasëse të fëmijëve në zona të tjera”.
Ajo paralajmëroi anijet që të mos tentojnë të kalojnë përmes rrugëve të pamiratuara.
Të shtunën, Komanda Qendrore e ushtrisë së SHBA-së (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në rajon, tha se ka goditur cisterna të lidhura me IRGC-në, duke e akuzuar krahun më të fuqishëm të ushtrisë iraniane se ka tentuar, pa sukses, të qëllonte ndaj anijeve luftarake amerikane.
“Pas sulmeve të pasuksesshme të Iranit, CENTCOM çaktivizoi përgjithmonë cisternën e naftës së papërpunuar të IRGC-së, M/T Downy, në brigjet e ishullit Harg, si dhe M/T Stark 1 pranë Jaskut”, tha CENTCOM-i.
“Forcat amerikane gjithashtu shkatërruan plotësisht cisternën e naftës së papërpunuar M/T Kylo, e cila nuk kishte ngarkesë, në Gjirin e Omanit, duke e goditur anijen në disa pika kritike për ta bërë atë të papërdorshme, pasi ekuipazhit iu dha urdhër që ta braktiste anijen”. /REL