Kryetari i Partisë Demokratike ka postuar në faqen e tij në facebook një video të shkurtër ku tregohen çaste nga takimi që ai zhvilloi me diasporën shqiptare në SHBA.
“Momente nga takimi me përfaqësues të diasporës në SHBA”, shkruan lideri i opozitës në postimin e tij.
Gjatë këtij takimi kreu demokrat e cilësoi shpopullimin, ekonominë dhe ndikimin e krimit të organizuar si problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria.
Berisha tha se mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai e lidhi këtë fenomen me atë që e quajti “regjim të drogës” dhe me ndikimin e parave të narkotikëve në ekonomi dhe institucione.
“Ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga”, tha Berisha.
Sipas kreut demokrat, hyrja e parave të pista ka ndikuar edhe në kursin e këmbimit. Ai deklaroi se euro është zhvlerësuar me 35% dhe dollari me 32% gjatë dhjetë viteve në Shqipëri, duke argumentuar se kjo ka goditur eksportet, bizneset dhe remitencat.
“Me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje”, u shpreh ai.
Berisha e lidhi gjithashtu dobësimin e monedhës me atë që e konsideroi pasojë të “narkoeurove”, duke thënë se ekonomia shqiptare po përballet me një deformim të shkaktuar nga paratë e drogës.
Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se krimi i organizuar ka ndikim në institucionet shtetërore dhe në zgjedhje.
“Kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë. Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet”, deklaroi Berisha.
Ai tha se krimi i organizuar po pengon rotacionin politik dhe i cilësoi zgjedhjet si “farsë”.
Berisha kërkoi nga diaspora shqiptare në SHBA që të angazhohet pranë institucioneve amerikane dhe partnerëve ndërkombëtarë për të denoncuar, sipas tij, lidhjet mes krimit të organizuar dhe pushtetit.
Në fund të takimit, kreu i PD-së falënderoi diasporën shqiptare në SHBA për kontributin e saj në mbështetjen e Shqipërisë dhe në çlirimin e Kosovës, duke e ftuar atë të vijojë angazhimin politik për vendin.
Mesazhi:
© SYRI.net