Flash News

OP-ED

Caku i Berishës, nga 'Oqeani' te 'Hëna'

Caku i Berishës, nga 'Oqeani' te 'Hëna'

Alfred Lela

Sali Berisha sot pasdite, me orën tonë, takon Diasporën e Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk është një prej takimeve rutinë, të një politikani të lartë shqiptar me mërgatën, siç shumë të tilla kanë ndodhur në tri dekadat e fundit, por një lloj shpagimi kolektiv dhe personal. Pas një beteje të gjatë 5 vjeçare, me një konjukutrë të stërmadhe ku përfshiheshin emra dhe synime tashmë shumë herë të diskutuara, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri rikthehet në Amerikë, vend që e ka ulur në krye të vendit më shumë se asnjë shqiptar tjetër të politikës shqiptare, duke e ftuar 2 herë në Shtëpinë e Bardhë dhe duke ia kthyer vizitën me një President dhe një Sekretar Shteti në Tiranë.

Por kjo është histori dhe, për armiqtë, si të Berishës, ashtu edhe të Partisë Demokratike nuk ka rëndësi. Po shohim se, për ta, as kronika e ditës- aktuliteti politik- nuk vlen. E them këtë sepse, ndryshimi mes kritikut dhe armikut është caku, në kuptimin se cili është pragu që ai të cakton. Me këtë cak të paracaktuar bëhen edhe llogaritë post factum.

Caku i Berishës, caktuar nga kritikët/armiqtë e tij, ishte raporti me Amerikën. Sintetizuar kjo nga shprehja e famshme e kryearmikut të tij, Edi Rama, Sali, me dash, e kalon dot oqeanin? E cila, në fakt, erdhi para dizajnimit dhe përcaktoi edhe dorën që Rama me pushkatarët e tij kishin në të, siç u zbulua qartë më vonë nga shpalosja për publikun e Dosjes McGonigal. Kur non grata u zyrtarizua nga Blinken në Tëitter, kritikët dhe armiqtë, me një hov djaloshar që i tejkalonte prostatat e tyre, nxituan për të vendosur cakun e mbramë.

I cili ishte: Dakord, dakord, Berisha ka hapur betejë; po qëndron; don ta luftojë Ramën; etj., etj., por e ka problemin me Amerikën;…dhe ne jemi me Amerikën; kur ta zgjidhë me të, ne jemi në rregull. Këta janë ai lloj pro-amerikanësh që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshkruar aq mirë me gati ofshamën ‘Amelika, Amelika’.

Përtej ngjyresave, Sali Berisha dhe Amerika ua kanë hequr këtë cak kritikëve/ armiqve. Të mbetur pa të, ne jemi në gjendje të shohim se kush janë kritikët, ata që e bazojnë qëndrimin në koncepte, parime, ide apo qoftë edhe sfumatura politike, dhe armiqtë, ata që nuk merren me idetë, por duan të asgjësojnë subjektin.

Tani që caku u ka rënë, dhe Berisha ndodhet në Amerikë- pas takimit me Diasporën do të jetë në Konventën e partisë së Presidentit Trump-, çfarë thonë armiqtë e Partisë Demokratike dhe të Berishës?

Spërdridhen, duke artikuluar sikur t’i ketë lënë edhe prostata e fakultetit të të menduarit se, ‘jo, po non grata nuk ka rënë, hapni faqen e Departamentit’; jo, po Doktori po ikën në ShBA, po se ashtu e ka një hall mjekësor’, ‘jo, po prisni se do ta shohim’.

Nuk ka rëndësi se çfarë thonë, e rëndësishme për ta është të pranojnë kush janë, pra duke qenë armiq të mos mëtojnë se janë kritikë. Edhe për të shpëtuar prej një lloj skizofrenie, e cila mundohet të artikulojë përtej fakteve. Duke qenë aktorë të agorës publike, ata ndikojnë edhe mjedisin me atë që thonë jo vetëm veten, pra fusin edhe publikun në njëfarë skiozfrenie të anti-logjikës.

Caku u ka rënë, dhe tani po kërkojnë një cak të ri ku ta mbështesin prostatën e sfilitur nga humbja dhe zhgënjimi.

Po ua jap një ide. Berishës nuk i quhet derisa të udhëtojë me Elon Musk, në në prej anijeve të tij kozmike, në Hënë.

Të fundit