Hunter Biden nuk e përjashton kandidimin për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të ardhmen. Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat amerikane, Biden ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e vitit 2028, duke rikthyer emrin e familjes Biden në diskutimet për garën e ardhshme presidenciale.
“Nëse kam mbështetjen tuaj, mund të më duhet”, u përgjigj djali i ish-presidentit Joe Biden, duke iu referuar mbështetjes së prezantuesit dhe biznesmenit John Catsimatidis.
Megjithatë, për momentin nuk bëhet fjalë për një kandidaturë zyrtare. Hunter Biden nuk ka njoftuar krijimin e një fushate dhe nuk ka dhënë sinjale konkrete se ka nisur një proces për të garuar për nominimin demokrat.
Deklarata e tij përbën gjithsesi një ndryshim të dukshëm nga qëndrimi i mbajtur vetëm pak javë më parë. Gjatë një interviste në programin “Real Time” të HBO-së me Bill Maher, Hunter Biden e kishte mohuar mundësinë e kandidimit, madje duke e trajtuar idenë me humor.
Tashmë, ai duket se nuk e përjashton më një rikthim në politikë. Një prej çështjeve që Hunter Biden thotë se do të ishte në qendër të një kandidature të mundshme është kriza e varësisë në Shtetet e Bashkuara.
“Ajo që më shqetëson më shumë janë 50 milionë amerikanët që ende vuajnë nga varësitë e tyre”, deklaroi ai.
Hunter Biden ka folur publikisht për betejën e tij personale me varësinë dhe ka përdorur përvojën e tij si pjesë të mesazhit që përcjell në daljet publike.
Ai ka vendosur gjithashtu në qendër të deklaratave të tij respektimin e Kushtetutës dhe sundimin e ligjit.
“Dua që presidenti i ardhshëm të angazhohet për një gjë: respektimin e sundimit të ligjit”, tha ai.
Por një kandidaturë e mundshme e Hunter Biden do të përballej me një shqyrtim të fortë të së kaluarës së tij. Aktivitetet e tij të biznesit, çështjet gjyqësore dhe problemet me varësinë do të ishin ndër temat kryesore të një fushate të tillë.
Në vitin 2024, Hunter Biden u shpall fajtor për akuza që lidhen me posedimin e një arme dhe u deklarua fajtor për çështje të mashtrimit tatimor. Më vonë, Joe Biden i dha atij një falje të gjerë federale që mbulonte vepra penale të kryera gjatë periudhës 2014–2024.
Pavarësisht mundësisë që la të hapur për veten, Hunter Biden pranoi se Partia Demokratike ka disa emra të tjerë që mund të konsiderohen për zgjedhjet e vitit 2028. Ai shprehu mbështetjen e tij për guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Neësom, për të cilin tha se e vlerëson personalisht.
Kështu, për momentin, deklarata e Hunter Biden mbetet më shumë një sinjal politik sesa një shpallje kandidature. Megjithatë, mjaftoi për të hapur një skenar të ri: rikthimin e mundshëm të mbiemrit Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/