TIFF hapet me “Mother”, filmi i Teona Strugar Mitevskës për Nënë Terezën

6 September, 2026 - 15:20

Edicioni i 24-t i Tirana International Film Festival (TIFF) do të hapet me filmin “Mother”, të regjisores së njohur nga Maqedonia e Veriut, Teona Strugar Mitevska. Filmi vendos në qendër një prej figurave më të njohura të historisë moderne, Nënë Terezën, duke e rrëfyer përmes një momenti vendimtar dhe thellësisht njerëzor të jetës së saj.

Ngjarjet zhvillohen në Kalkutë, në vitin 1948, ku besimi, ambicia dhe ndjenja e detyrës përplasen me një dilemë personale. Përmes këtij rrëfimi, “Mother” sjell një portret më intim të figurës së Nënë Terezës, larg një interpretimi thjesht biografik.

Filmi pati premierën si hapës i seksionit Orizzonti në edicionin e 82-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërsa është vlerësuar edhe me Çmimin për Kontributin më të Mirë Artistik në Tokyo International Film Festival.

Teona Strugar Mitevska është autore e disa filmave të vlerësuar ndërkombëtarisht, mes tyre “God Exists, Her Name Is Petrunya”, i cili ka fituar më shumë se 20 çmime.

Në premierën kombëtare në Tiranë do të jenë të pranishme Teona Strugar Mitevska dhe producentja Labina Mitevska. Regjisorja do të zhvillojë gjithashtu dy masterclass-e gjatë festivalit, duke sjellë në TIFF jo vetëm filmin, por edhe përvojën e saj krijuese dhe qasjen ndaj kinemasë./KultPlus.com

Të ngjashme