Durrësi sjell “Muzikën e Filmave”, një udhëtim në kujtesën kinematografike të qytetit
6 September, 2026 - 12:40
Durrësi u kthye në një skenë të kujtesës kinematografike shqiptare përmes tingujve të “Muzikës së Filmave”, një koncert kushtuar krijimtarisë së kompozitorit durrsak Haig Zacharian.
Për më shumë se një orë, dhjetëra qytetarë, vizitorë dhe pushues ndoqën një mbrëmje që solli në vëmendje muzikën e filmave shqiptarë dhe lidhjen e saj me qytetin ku një pjesë e këtyre veprave u realizuan. Tingujt e kompozimeve të Zacharian shërbyen si një udhëtim përmes kujtesës së kinemasë shqiptare, duke rikthyer në vëmendje histori, personazhe dhe pamje të lidhura me Durrësin.
Nisma synon të zgjerojë mënyrat përmes të cilave qyteti mund të përjetohet nga vizitorët, duke propozuar krijimin e itinerareve turistike që ndjekin gjurmët e filmave të xhiruar në Durrës pas viteve ’70. Përmes këtyre itinerareve, hapësirat e qytetit shndërrohen në pika të një harte të veçantë kulturore, ku historia e kinemasë ndërthuret me atë të qytetit.

Durrësi ka një prani të rëndësishme në historinë e kinematografisë shqiptare. Pas Tiranës, ai ka qenë një prej hapësirave kryesore të xhirimeve, ndërsa rrugët, ndërtesat, bregdeti dhe peizazhet e tij janë bërë pjesë e filmave që kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Koncerti u realizua nën drejtimin artistik të Ardita Bufaj, me moderimin e aktores Ema Andra. Muzika u interpretua drejtpërdrejt nga instrumentistët Xhovana Marku, Igert Zeqiri, Stela Bello dhe Matilda Bajrami.
Në Durrës janë xhiruar gjithsej 11 filma, ndër ta “Horizonte të hapura”, “Ilegalët” (1976), “Tingujt e luftës”, “Një udhëtim i vështirë” (1977), “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Mysafiri”, “Në çdo stinë” dhe “Dora e ngrohtë”.
“Muzika e Filmave” e vendos kështu kinemanë në një tjetër kontekst: jo vetëm si pjesë të historisë së artit shqiptar, por edhe si një mënyrë për të zbuluar qytetin. Përmes tingujve dhe gjurmëve të filmave, Durrësi rikthehet si një hapësirë ku kujtesa artistike dhe identiteti urban takohen, duke i dhënë trashëgimisë së tij kulturore një tjetër dimension./KultPlus.com


