“Ekziston vetëm një Natalie Imbruglia”: Këngëtarja rikthehet me një rrëfim personal

6 September, 2026 - 09:40

Natalie Imbruglia rikthehet me albumin e saj të shtatë, Algorithm, një projekt ku tingujt e frymëzuar nga Talking Heads dhe Grace Jones bashkohen me rrëfime thellësisht personale.

Këngëtarja australiane, e cila u bë e famshme në vitet ’90 me hitin “Torn”, flet hapur në album për shëndetin mendor, ankthin dhe vështirësitë që përjetoi gjatë perimenopauzës. Në këngën “Who Dimmed The Lights”, ajo përshkruan mënyrën se si kjo periudhë ndikoi në humorin, përqendrimin dhe simptomat e ADHD-së.

“Perimenopauza nuk ka të bëjë vetëm me hormonet. Ka të bëjë edhe me mendjen”, shprehet Imbruglia, duke treguar se ankthi u bë veçanërisht i fortë gjatë turneve të saj.

Përvojat personale u shndërruan në muzikë. Një bisedë me bashkëpunëtorët e saj, pas një periudhe të vështirë gjatë turneut, frymëzoi këngën “Upside Down”, ndërsa albumi trajton edhe marrëdhënien problematike me internetin dhe varësinë nga rrjetet sociale.

Rruga e Imbruglia-s drejt famës nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Pas suksesit të jashtëzakonshëm të “Torn” dhe albumit Left of the Middle, presioni i industrisë dhe pasiguritë personale ndikuan në zgjedhjet e saj artistike. Ajo provoi edhe aktrimin dhe kujton si një nga audicionet më të çuditshme atë për rolin e Satine në Moulin Rouge!.

Sot, në moshën 51-vjeçare, Imbruglia duket më e pajtuar me veten dhe me zërin e saj artistik. Algorithm përfundon me “Beautiful Love”, një këngë për pranimin e papërsosmërive dhe të gjitha ulje-ngritjeve të jetës.

“Ekziston vetëm një Natalie Imbruglia”, thotë ajo. Dhe duket se pikërisht këtë individualitet po e feston me muzikën e saj të re./KultPlus.com

Të ngjashme