Mary Gartside, artistja që i dha ngjyrës një gjuhë të re
5 September, 2026 - 14:20
Përpara se abstraksioni të gjente vendin e tij në historinë e artit dhe shumë dekada përpara se ngjyrat të shpërthenin në kanavacat e modernizmit, një artiste angleze i dha ngjyrës një gjuhë krejt tjetër.
Në vitin 1805, Mary Gartside botoi një vepër mbi teorinë e ngjyrave, duke u bërë gruaja e parë në botën perëndimore e njohur për një studim të tillë. Pak dihet për jetën e saj, por puna që la pas dëshmon një mendim artistik të jashtëzakonshëm dhe, për kohën, radikal.
Në librin An Essay on Light and Shade, on Colours, and on Composition in General, Gartside shoqëroi idetë e saj me një seri imazhesh abstrakte me bojëra uji. Tetë “njolla” ngjyrash, të titulluara sipas nuancave që përfaqësonin, nuk ishin thjesht ilustrime të një teorie, por vepra që duket sikur i paraprijnë abstraksionit modern.
Format e tyre të paqarta dhe shpërthimet e ngjyrave e çlirojnë ngjyrën nga objekti që ajo zakonisht përfaqëson. Në vend të një rrote klasike ngjyrash, Gartside krijoi një mënyrë më organike për të parë marrëdhënien mes nuancave, harmoninë dhe kontrastin e tyre.
Puna e saj u shfaq vetëm pesë vjet përpara teorisë së famshme të ngjyrave të Johann Wolfgang von Goethe dhe përpiqej të përshtaste idetë e Isaac Newtonit mbi dritën me përvojën konkrete të piktorit dhe përzierjen e pigmenteve.

Megjithatë, emri i Gartside pothuajse u zhduk nga historia e artit. Studiuesja Alexandra Loske është ndër ato që kanë punuar për ta rikthyer atë në vëmendjen e historisë së artit, së bashku me figura të tjera gra që krijuan ide novatore mbi ngjyrën, por mbetën në hije përballë emrave të njohur meshkuj.
Një prej tyre ishte edhe artistja amerikane Emily Noyes Vanderpoel, e cila në vitin 1902 botoi Color Problems, duke paraqitur analiza të ngjyrave në formën e rrjeteve gjeometrike që sot të kujtojnë abstraksionin modern.
Historitë e Gartside dhe Vanderpoel ngrenë një pyetje më të gjerë mbi mënyrën se si është shkruar historia e artit: sa gra novatore kanë krijuar përpara kohës së tyre, por janë lënë jashtë rrëfimit?
Në rastin e Mary Gartside, ngjyrat duket se e kanë ruajtur atë që historia për një kohë e harroi./KultPlus.com



