Bajram Begaj kujton Shën Nënë Terezën: “Drita e shpirtit të saj mbetet një burim frymëzimi”
5 September, 2026 - 13:55
Në ditën kushtuar Shën Nënë Terezës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kujtuar figurën e misionares shqiptare të bamirësisë, duke vënë në pah përkushtimin e saj ndaj njerëzve më në nevojë dhe mesazhin e saj të dashurisë, dinjitetit e shpresës.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj shkruan se shërbimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve, të pamundurve dhe të sëmurëve e bëri atë një figurë të jashtëzakonshme të humanizmit, ndërsa besimi i saj te Zoti u kthye në një forcë për t’i shërbyer njeriut.
“Me shërbimin e saj ndaj të varfërve, të pamundurve dhe të sëmurëve, me besimin te Zoti, Shën Nënë Tereza na ndihmoi të shohim madhështinë e dinjitetit të çdo njeriu dhe të besojmë te dashuria, drejtësia dhe shpresa”, shprehet Presidenti.

Begaj thekson se edhe sot, shumë vite pas ndarjes së saj nga jeta, mesazhi i Nënë Terezës vazhdon të jetojë përtej kufijve dhe kohës.
“Sot, drita e shpirtit të saj mbetet një burim frymëzimi dhe shërimi për mbarë njerëzimin”, shkruan ai.
Për shqiptarët, figura e Nënë Terezës mbetet e lidhur jo vetëm me përmasën e saj universale si simbol i humanizmit, por edhe me një trashëgimi shpirtërore që i fton njerëzit të mos harrojnë të pamundurit dhe të vetmuarit.
“Për ne shqiptarët, ajo është një udhëzim dhe një amanet për të qenë pranë atyre që kanë më shumë nevojë”, përfundon Begaj./KultPlus.com


