Pas 14 vitesh, rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, 220 vepra në garë

4 September, 2026 - 18:30

Pas 14 vitesh mungesë, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rikthyer në Tiranë, duke hapur edicionin e 14-të të tij dhe duke mbledhur rreth 220 vepra filmike, të prodhuara nga viti 2012 deri më sot.

Festivali zhvillohet nga 3 deri më 12 shtator, në katër hapësira të kryeqytetit: Universitetin e Arteve, Kinemanë Agimi, Piramidën e Tiranës dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”. Ceremonia e hapjes u zhvillua në sheshin e Universitetit të Arteve dhe u moderua nga Pandi Laço dhe Marsela Çibiku.

Në këtë edicion, filmat do të vlerësohen përmes Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut. Për konkurrimin zyrtar, çdo regjisor ka përzgjedhur një film, ndërsa Akademia dhe publiku do të kenë mundësinë të vlerësojnë të gjitha veprat e përfshira në festival.

Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe, i cili vlerësoi punën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe foli për reforma të reja në mbështetje të sektorit të filmit. Ndër nismat e paralajmëruara është edhe krijimi i Komisionit të Filmit Shqiptar (Albanian Film Commission).

Rikthimi i festivalit sjell në një platformë të përbashkët emra të njohur të kinematografisë shqiptare dhe krijues të rinj, duke i dhënë hapësirë prodhimeve të viteve të fundit dhe duke rikthyer një traditë të rëndësishme të jetës kulturore shqiptare.

Nga 4 deri më 11 shtator, shfaqjet do të jenë me hyrje të lirë për publikun. Festivali do të përmbyllet më 12 shtator me një mbrëmje gala, ku do të ndahen 31 çmime në kategoritë e ndryshme kinematografike. RTSH është partneri kryesor mediatik i këtij edicioni dhe do të përcjellë momentet kryesore të festivalit./KultPlus.com

Të ngjashme