Ilirjan Zhupa nderohet në Itali me çmimin ndërkombëtar “Një jetë për kulturën”

4 September, 2026 - 18:00

Poeti shqiptar Ilirjan Zhupa është nderuar në Reggio Calabria të Italisë me çmimin letrar ndërkombëtar “Rhegium Julii – Una vita per la cultura”, në kuadër të edicionit të 58-të të veprimtarisë.

Ceremonia u zhvillua më 31 gusht, ndërsa çmimi, që mban emrin e themeluesit Giuseppe Casile, iu akordua Zhupës për veprimtarinë e tij si poet, eseist, gazetar dhe diplomat. Krahas Zhupës, me këtë vlerësim u nderua edhe poeti uruguajano-spanjoll Julio Cesare Pavanetti Gutierrez.

Çmimi iu dorëzua nga presidenti i Rhegium Julii, Giuseppe Bova, në praninë e përfaqësuesve të autoriteteve vendore dhe të botës së kulturës. Ceremonia u shoqërua me lexime poetike në gjuhën italiane dhe shqipe.

Gjatë aktivitetit u theksuan edhe lidhjet e hershme kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, me vëmendje të veçantë ndaj trashëgimisë arbëreshe dhe figurës së Jeronim De Radës, si dhe rolit të komunitetit shqiptar në jetën kulturore e shoqërore të Italisë.

Për Ilirjan Zhupën, ky vlerësim në Itali shënon një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij letrar dhe kulturor, duke e vendosur krijimtarinë e tij në një hapësirë më të gjerë ndërkombëtare./KultPlus.com

Të ngjashme