Shekspiri dhe gjurmët e tij në kinemanë romantike

5 September, 2026 - 10:10

Shekspiri nuk mbeti vetëm në skenat e teatrit. Historitë e tij për dashurinë, keqkuptimet, maskimet dhe luftërat mes të dashuruarve kanë gjetur një jetë të re në kinemanë moderne

Shekspiri mund të ketë shkruar për një tjetër epokë, por personazhet e tij vazhdojnë të duken çuditërisht të afërt me publikun e sotëm. Dashuritë e ndërlikuara, rivalitetet, keqkuptimet, maskimet dhe lojërat mes dy njerëzve që pretendojnë se nuk e duan njëri-tjetrin janë kthyer në një formulë të suksesshme edhe për komeditë romantike të kinemasë.

Një nga shembujt më të njohur është “10 Things I Hate About You” i vitit 1999, me Julia Stiles dhe Heath Ledger. Filmi merr frymëzim nga “The Taming of the Shrew” dhe e zhvendos historinë në një gjimnaz amerikan. Kat, vajza rebele dhe e drejtpërdrejtë, bëhet versioni modern i Katherinës së Shekspirit, ndërsa historia e saj e dashurisë ndërtohet përmes një marrëveshjeje që gradualisht shndërrohet në ndjenjë të vërtetë. Filmi mbeti një nga rom-com-et ikonike të viteve ’90, ndërsa interpretimi i Ledgerit vazhdon të kujtohet si një prej momenteve më të dashura të filmit.

Një tjetër përshtatje është “She’s the Man”, komedia e vitit 2006 me Amanda Bynes dhe Channing Tatum, e bazuar lirshëm në “Twelfth Night”. Viola maskohet si vëllai i saj për të hyrë në një ekip futbolli dhe, ndërsa përpiqet të ruajë identitetin e rremë, përfshihet në një rrjet dashurish të ngatërruara. Pikërisht loja me identitetin dhe keqkuptimet romantike e lidh filmin me komedinë shekspiriane.

Në të njëjtën frymë vjen “John Tucker Must Die”, ku tri vajza zbulojnë se janë duke u takuar me të njëjtin djalë dhe vendosin të bashkohen për t’i dhënë atij një mësim. Filmi merr frymëzim të lirë nga “The Merry Wives of Windsor”, duke e kthyer zgjuarsinë dhe hakmarrjen e personazheve femërore në një komedi tipike të viteve 2000.

Edhe “Get Over It”, me Kirsten Dunst dhe Mila Kunis, sjell në një mjedis adoleshent historinë e “A Midsummer Night’s Dream”. Një shfaqje teatrale shkollore, një dashuri e humbur dhe një seri marrëdhëniesh të ngatërruara krijojnë një version modern të komedisë së Shekspirit, ku romantika dhe humori ecin paralelisht.

Në vitin 2023, kjo lidhje u rikthye fuqishëm me “Anyone But You”, me Sydney Sweeney dhe Glen Powell. Filmi, i frymëzuar nga “Much Ado About Nothing”, vendos në qendër Beën dhe Benin, dy njerëz që nisin me përplasje dhe përfundojnë duke shtirur një lidhje për të kaluar një dasmë familjare. Emrat e tyre janë një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Beatrice dhe Benedick, çiftit të famshëm të Shekspirit që shndërron luftën e fjalëve në dashuri.

Edhe “The Parent Trap” i vitit 1998, me Lindsay Lohan në rolin e dy binjakeve, lidhet me një tjetër komedi të Shekspirit, “The Comedy of Errors”. Historia e binjakëve të ndarë dhe ngatërrimi i identiteteve janë pjesë e së njëjtës traditë komike që Shekspiri e përdori në veprën e tij.

Nga gjimnazet amerikane te dasmat familjare, nga maskimet te marrëdhëniet e shtirura, këto gjashtë filma tregojnë se sa lehtë mund të udhëtojnë historitë shekspiriane nga skena klasike drejt ekranit modern. Shekspiri ndryshon kostum, kohë dhe vend, por temat mbeten: dashuria që nis me konflikt, identitetet që ngatërrohen dhe dy njerëz që, pavarësisht gjithçkaje, përfundojnë duke u gjetur te njëri-tjetri./KultPlus.com

Të ngjashme