Tash Aw sjell “The South”, një dashuri që përplaset me kufijtë e shoqërisë
4 September, 2026 - 22:30
Mes Jay-t dhe Chuanit lind një dashuri e brishtë, por që në çastin kur ajo lind, përballë saj ngrihet një botë që nuk e lejon të jetë e lirë. Klasa, familja, identiteti dhe rregullat e një shoqërie të mbyllur e kthejnë ndjenjën e tyre në një konflikt të heshtur. Pikërisht mbi këtë përplasje ndërtohet The South, romani i ri i shkrimtarit malajzian Tash Aw.
Në Malajzinë e viteve ’90, 16-vjeçari Jay mbërrin në fermën e familjes së tij në jug të vendit, ku takon Chuanin, djalin 19-vjeçar të kujdestarit. Lidhja mes tyre bëhet qendra e një historie ku dëshira për t’u afruar përplaset vazhdimisht me diferencat që i ndajnë.
Familja e Jay-t zotëron tokën, ndërsa familja e Chuanit jeton prej saj. Për më tepër, dashuria e tyre nuk mund të shfaqet hapur. Kështu, marrëdhënia intime bëhet edhe një mënyrë për të treguar pabarazinë, frikën dhe kufijtë e padukshëm që përcaktojnë jetën e personazheve.

Aw e rrëfen këtë histori me një stil të kursyer dhe elegant, duke i lënë emocionet të dalin përmes heshtjeve, kujtimeve dhe ndryshimit të këndvështrimeve. Edhe peizazhi i thatë i jugut të Malajzisë, ferma dhe pemët e prera marrin një peshë simbolike, si një botë që po humbet ngadalë.
The South është një roman për një dashuri të re, por edhe për gjithçka që qëndron përballë saj. Në duart e Tash Aw, një histori intime shndërrohet në një vepër letrare për klasën, identitetin, kujtesën dhe pamundësinë për të dashur pa u përplasur me botën./KultPlus.com


