Bashkia Shkodër po vijon aksionin për lirimin e rrugëve dhe hapësirave publike nga automjetet e braktisura.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur se mjetet janë evidentuar dhe pronarët janë njoftuar paraprakisht. Pas përfundimit të afatit të përcaktuar, Policia Bashkiake po ndërhyn për largimin e tyre.
Beci u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke larguar automjetet e braktisura dhe duke sinjalizuar raste të tjera në lagjet e tyre.
“Hapësira publike është e përbashkët dhe duhet t’u shërbejë të gjithëve. Me vendosmëri, puna do të vijojë në të gjithë Shkodrën”, deklaroi kryebashkiaku.
