Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka denoncuar mungesën prej më shumë se dy muajsh të një qendre shëndetësore funksionale në Bashkinë Vau i Dejës, duke e cilësuar situatën të papranueshme dhe duke kërkuar përgjegjësi institucionale.
Duke iu referuar humbjes së jetës së dy qytetarëve, Spahia tha se ngjarja duhet të shërbejë si kambanë alarmi. Ai i kërkoi ministres së Shëndetësisë të sqarojë arsyet e mosfunksionimit të qendrës, përgjegjësitë institucionale, masat e marra dhe afatin për rikthimin e shërbimit.
Sipas deputetit demokrat, realiteti i sistemit shëndetësor bie ndesh me deklaratat e qeverisë për rritjen e financimeve. Spahia ngriti pikëpyetje mbi përdorimin e fondeve dhe denoncoi mungesën e barnave, pajisjeve dhe shërbimeve bazë në institucionet shëndetësore.
Ai njoftoi se me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të kërkojë interpelancë urgjente për situatën në shëndetësi dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga qeveria dhe ministrja e Shëndetësisë.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për propagandë. Kanë nevojë për mjekë, ilaçe, shërbim dhe një shtet që mbron jetën e tyre”, përfundoi Spahia.
