Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka shënuar rritje të ndjeshme të aplikimeve dhe regjistrimeve për vitin akademik 2026–2027. Rektorja, Prof. Dr. Blerta Dragusha, deklaroi se këtë vit janë regjistruar rreth 500 aplikime më shumë krahasuar me një vit më parë.
Sipas saj, faza e parë u mbyll me 25% më shumë regjistrime, ndërsa faza e dytë shënoi një rritje prej 12% kundrejt të njëjtave periudha të vitit të kaluar. Rektorja theksoi se, përtej numrit, vlerësohet edhe cilësia e prurjeve të reja, pasi në fazën e parë regjistrohen maturantët me mesataret më të larta.
Procesi i regjistrimeve vijon deri më 8 shtator, ndërsa nga 2 deri më 13 shtator do të pranohet dokumentacioni i studentëve të huaj. Interes në rritje është shënuar për programin “Administrim Biznes” në gjuhën angleze, si dhe nga maturantët e trojeve shqiptare.
Dragusha vlerësoi punën e dekanëve dhe sekretarive mësimore, ndërsa theksoi se Universiteti i Shkodrës synon ta vendosë studentin në qendër, duke i ofruar dije, kërkim shkencor, trajnime, shkëmbime dhe mobilitete ndërkombëtare.
Në përfundim, rektorja u bëri thirrje maturantëve të zgjedhin Universitetin e Shkodrës për mundësitë që ofron në zhvillimin e së ardhmes së tyre profesionale.
