Edi Rama kërkon të mos bëhet panik. Vetëm pak ditë pasi harta e re e prezantuar nga socialistët, u përball me kundërshtime të forta nga qytetarët, por edhe nga kryetarët e bashkive që preken nga shkrirja, kryeministri vë në dukje se bëhet fjalë për një projekt që sapo ka hyrë në fazën e konsultimeve që do të zgjasin 60 ditë. Shefi i Qeverisë theksoi se në fund do të vendosë Parlamenti, nëse do të miratojë ose jo variantin e PS për hartën e re territoriale.

“Kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin. Sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë”, shkroi mes të tjerash Rama në një postim në rrjetet sociale.

Rama duket se më shumë e ka me të vetët, socialistët që dogjën teserat në Poliçan (që e cilësoi si akt të turpshëm), apo dhe komentet e disa deputetëve të grupit të tij. Për gjithçka tjetër sipas tij, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Protestat, që nuk shkaktojnë bllokim të rrugëve dhe cenim të rendit publik, për kryeministrin janë të mirëpritura.

“Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë ‘tribunin e vegjëlisë’ pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur”, theksoi Rama.
Ndërsa kryebashkiakëve të majtë, që kanë kundërshtuar hapur shkrirjen e bashkive të tyre, u kujton se duhet që të shprehen dhe zyrtarisht, mbi propozimin e paraqitur.
“Sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë”, shkroi më tej Rama.
Listës të disa kryebashkiakëve që kanë kritikuar publikisht ndarjen e re, iu shtuan këtë të dielë dhe drejtuesit socialistë të bashkive të Dimalit e Patosit, Juliana Memaj e Fatjon Duro. Të dyja këto bashki nuk do të duhet të ekzistojnë më si të tilla, nëse varianti i propozuar do të kalojë pa ndryshime.
Si Memaj ashtu dhe Duro, kanë si shqetësim kryesor largimin e shërbimeve për qytetarët e tyre. Por PS insiston se shërbimet do të jenë po të njëjtat, pasi në zyrat e bashkive aktuale që do t’i bashkohen të tjerave, do të qëndrojë një nga nënkryetarët.
Reforma territoriale synon të shkrijë 15 bashki duke i bashkangjitur ato me bashki të tjera fqinje. Sipas propozimit socialist numri do të reduktohej në këtë mënyrë, në 46 nga 61 që janë aktualisht.