Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe zyrtarëve të tjerë serbë, duke i cilësuar ato si kërcënim për Kosovën dhe stabilitetin në rajon.

Në një reagim publik, Spahia thekson se Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe i paprekshëm, ndërsa deklaratat që nxisin armatosjen apo flasin për spastrim etnik i konsideron gjuhë të papranueshme dhe të rrezikshme.

Deputeti demokrat vlerëson se liria e Kosovës është fituar me sakrificën e dëshmorëve dhe është garantuar nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, të cilat, sipas tij, mbeten garancia kryesore për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Në deklaratën e tij, Spahia kritikon edhe Kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj zhvillimeve të fundit. Sipas tij, heshtja e kryeministrit përballë deklaratave kërcënuese ndaj Kosovës nuk mund të justifikohet me diplomaci, por përbën një qëndrim të papranueshëm.

Në përfundim, Bardh Spahia i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe aleatëve të Kosovës që të reagojnë ndaj deklaratave që, sipas tij, cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.