Boksieri shkodran Nelson Hysa ka reaguar pas fitores së madhe në “O2 Arena” të Londrës, ku mposhti me nokaut në raundin e dytë norvegjezin Thomas Narmo, duke ruajtur pathyeshmërinë dhe titullin WBO Global në peshat e rënda. Hysa tashmë numëron 25 fitore në po aq ndeshje, 23 prej tyre me nokaut.
Pas suksesit, Hysa ia dedikoi fitoren shqiptarëve që e mbështetën fuqishëm në arenën londineze, duke e cilësuar atmosferën të jashtëzakonshme.
“Por kjo fitore nuk është vetëm e imja. Kjo është e të gjithë shqiptarëve që ishin aty, që më mbështetën dhe që e bënë atmosferën magjike. Nga zemra, faleminderit. Ne sapo kemi filluar”, u shpreh Hysa.
Fitorja ndaj Narmos, i cili gjithashtu vinte i pamposhtur në këtë përballje, konfirmon momentin e shkëlqyer të boksierit shqiptar dhe ambiciet e tij për duele edhe më të mëdha në elitën e peshave të rënda.
