Policia e Shkodrës vijon kontrollet në zonat turistike për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmës dhe orarit të aktiviteteve me muzikë. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në Velipojë, një lokal është konstatuar se gjeneronte muzikë mbi nivelin e lejuar.
Për shkeljen, administratorja e lokalit, një 23-vjeçare me inicialet E. Gj., është ndëshkuar me masë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj.
Kontrollet janë kryer me matës të zhurmës, në zbatim të ligjit për administrimin e zhurmës në mjedis, ndërsa policia ka verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, nga ora 11:00 deri në 24:00.
Policia e Shkodrës bën të ditur se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me synim garantimin e qetësisë dhe sigurisë për banorët dhe vizitorët, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.
