
Takimet me prind! Besoj se shumica e atyre qe kanë nisur arsimin shkollor para 1990- ës, i mbajnë mend. Në varësi të stinës, në kuptimin e kohëzgjatjes apo shkurtimit të orëve me dritë, organizimi i tyre varionte nga ora 4 e pasdites, deri në 5 po të pasdites. Dita ishte përherë e caktuar, e enjtja. Sipas cikleve të shkollës, fillor, 8- vjeçar apo të mesëm, zhvilloheshin një herë në javë apo një herë në dy javë.
Prindërit niseshin nga shtëpia jo pa emocion. Nxënësit, bijtë apo bijat e tyre, në jo pak raste qendronin në ankth. A kishin përmbushur pritshmëritë e prindërve, kryesisht për “notat e mira” por edhe ata që kërkonin thjesht dhe vetëm notë kaluese. Prindi, i cili në shumicën dërrmuese ishte i gjinisë femërore, takonte mësuesin kujdestar siç quhej aso kohe. Nëse kishte nevojë për më shumë informacion, sidomos për lëndë të veçanta, mësuesi kujdestar ndërmjetësonte tek kolegu përkatës. Në jo pak raste, vetë mësuesi kujdestar, kur kishte dëshirë, vulltet apo edhe “stimulim”, fliste në emër të prindit me mësuesin- koleg të një lënde të caktuar.
Takimet me prind, kishin një veçanti. Në fillimin e vitit të ri shkollor por edhe në fund të tij, rregullësia prishej. Mund të kalonte edhe një muaj nga fillimi i shkollës dhe nuk kishte takim me prind. Justifikimi, nuk ka çfarë të diskutohet se sapo ka nisur mësimi, nuk ka nota, tekstet nuk janë të gjithe etj. E njëjta gjë edhe në mbyllje të shkollës, diku para verës.
Këto periudha, në jo pak raste zgjateshin nga nxënësit që nuk i kishin shumë në qejf takimet me prind. Duke përdorur të njëjtat justifikime, mbanin larg takimit me mësuesit, prindërit me shpresën se notat mund të rregullueshin apo “zemërimi” i prindërve mund të zbutej. Kjo vlente sidomos për çeshtje që lidheshin me sjelljen apo “shfaqjet e huaja”.
Në shkolla, kishta disa tabela, ku përveç asaj për nxënësit e dalluar, nën shembullin e kinezëve, kishte edhe një për “shfaqjet e huaja”. Të tilla konsideroheshin flokët disa të gjata apo të prera “me modë”, pantallonat shumë të ngushta apo shumë të gjëra në fund dhe ndonjë këmishë “me jakë të gjërë” apo të ngrirë që binte në sy. Konsiderohej të ishte fat të ishe nxënës jo i mirë apo i keq, përballë vendosjes së fotos, emrit dhe klasës në tabelën e “shfaqjeve të huaja”.
A ishin efikas takimet me prindërit? Jo edhe aq shumë. Ata që ishin nxënës të mirë, vazhdonin rrugën e tyre, edhe pse mund të kishte luhatje të momentit. Ata më pak të mirë apo mesatarë, edhe po zbrisnin pak, nuk përfundonin tek “të këqinjtë”. Ndërsa këta të fundit, e kishin sfidë të kalonin nga katërshalacë tek pesa, nota më e vogël për të kaluar. Përgjithësisht, edhe arrihej.
Fëmijët e VIP-ave, sepse kishte edhe asokohe, ishin më të privilegjuar. Prindër me “pozitë” apo edhe me profesione që vlerësoheshin edhe për përfitime jo zyrtare, impononin sjelljen e mësuesve edhe në takimet me prind. Pra, dihej që “i biri i filanit apo filanes” me pozitë, do të ishte nxënës i mirë. “Trimëria” më e madhe e mësuesit ishte që ndonjëherë, shumë rrallë, ta ulte në nivelin e notës 8 në lëndë të veçanta. Dhe gjithmonë, edhe sinjalet për këtë kategori, jepeshin të takim me prind.
Nuk mungonte asnjëherë në takime me prind drejtori dhe nëndrejtori i shkollës. Edhe kur takoheshin në kuadër të “mësuesve të një lënde të caktuar”, ishte mjaft e vështirë ti takoje. Nëse prindi i jepte dorën apo takohej me drejtorin e nëndrejtorin, “sinjalin” e perceptonin të gjithë mësuesit për “filan” nxënës, djalë apo vajzë e këtij prindi.
Këto detaje nga një traditë që vazhdon, edhe pse jo me ndjeshmërinë e seriozitetin e para 1990- ës, mu kujtuan ndërsa po dogjoja fjalën prej më shumë se 1 orë e 20 minuta të kryeministrit Rama. Kush ishte prindi, nxënësi, mësuesit apo edhe drejtor e nëndrejtor i shkollës, mund ta gjykojë vetë secili. /Nga Sokol N. SOKOLI/




