
Edhe para 1990- ës por sidomos më pas, ka qenë një “biznes” që nga viti në vit, ka njohur rritje. Përgjithësisht, ishin gra por nuk kanë munguar as burrat- vajtojcë! Në të shumtën e rasteve, janë preferuar jashtë qyteteve por edhe brenda tyre, kur familjet merrnin me vete edhe traditat e zonave nga vinin. Përgjithësisht, jo të gjitha mortet “meritonin” vajtojce, duhej të ishe dikushi, të kishe disa vlera. Para 1990- ës lidheshin me pushtetin, pas 1990- ës me pushtetin por edhe paratë që disponoje, edhe po nuk pate fare vlera as njerëzore.
Nuk ishte e lehtë të ishe vajtojce. Si në çdo punë, duhej një farë talenti. Elokuenca ishte e para dhe më pas, aftësia për të lidhur fjalët, në të shumtën e rasteve, siç thuhet në letërsi, përmes rimës. Fillimisht, mësonin emrat e familjrëve, të afërmëve, komshinjve, miqve, të njohurve dhe natyrisht. të VIP-ave që merrnin pjesë në mort.
Edhe mes tyre, kishte dhe ka një renditje apo renkim me gjuhën moderne. Pak a shumë si këngëtarët e dasmave. Renditje për preferenca, sa shumë i kërkojnë. Renditje edhe për çmimin se si çdo punë, vështirë të bëhet gjithmonë falas. Megjithatë, aty ku njihnin, vajtojcet bënin zbritje por edhe falas, kur e gjykonin të arsyeshme apo “kishin patur punë mjaftueshëm”.
Në jo pak raste, të pranishmit në mort, gati- gati e shijonin “talentin” vajtojces. Sidomos kur u thurnin vargje miqve VIP-a të të ndjerit, preferoheshin autoritetet, traditë e nisur para 1990- ës e që sigurisht vazhdon. Në jo pak raste, ashtu siç ndodh edhe në dasma, në fund të punës, vajtojcet merrnin edhe para të hedhura. Natyrisht, më me kujdes se ceremonitë martesore, merrnin nga të afërm që përmendeshin gjatë ceremonisë mortore.
Ashtu siç ndodh në dasma, në fakt në shumicën e punëve, pavarësisht nëse ishte nxehtë apo ftohtë, vajtojcet djersinin, thuajse si tregues se e meritojnë shpërblimin për punën. E në fund fare, pasi përcillnin të ndjerin deri në “banesën e fundit”, largoheshin, edhe pse në jo pak raste, merrnin pjesë edhe në drekën e fundit në nderim të të ndjerit.
Por sigurisht, edhe vetë vajtojcet vdesin, ndërrojnë jetë. Tregohet për një rast, disa vajtojce u mblodhën të nderonin një kolegun e tyre- burrë, i cili ndërroi jetë papritur, sepse nuk kishte moshën “për të ikur”. U bashkuan 3- 4 vajtojce, madje nuk pranuan as para, edhe pse morti ngjau fort me një koncert recital. Nuk është e qartë nëse e konsideronin kështu vajtojcet që u ishte hapur një “front i ri pune” pasi u kishte ikur më i miri nga konkurrenca apo e konsideronin vertetë “koncert recital”.
Siç e shikoni, nuk përmenden as emra dhe as zona me këtë traditë të lashtë. Shumëkush edhe mund ti identifikojë këto personazhe por çdo ngjasim apo referencë me këtë tekst, është thjesht dhe vetëm rastësi. Aq më shumë që me këto temperatura, lotët e vajtojceve shumë lehtë mund të ngatërrohen me bulëzat e djersës. Pra, edhe mund të mos jenë vajtojce profesioniste… /Nga Sokol N. SOKOLI/




