Aktualitet

Himara në flakë, evakuohen banorët dhe turistët, digjen disa banesa

Himara u përball mbrëmjen e 4 shtatorit me një zjarr të fuqishëm që për më shumë se tre orë u përhap me shpejtësi nga ullishtet drejt zonave të banuara. Era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve dhe e vështirësoi ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse.

Zjarri përfshiu disa banesa, ndërsa dhjetëra të tjera u vunë në rrezik. Për shkak të situatës, banorët e zonave të prekura u evakuuan, ndërsa edhe turistë dhe pushues u larguan nga zonat e rrezikuara, disa prej tyre duke u mbledhur pranë bregut të detit për t’u mbrojtur nga flakët.

Policia bllokoi përkohësisht qarkullimin në bypass-in e Himarës, duke lejuar kalimin vetëm të mjeteve të emergjencës. Në terren zbritën edhe drejtues të lartë të Policisë, Emergjencave Civile dhe autoriteteve vendore për të ndjekur nga afër situatën.

Në operacion u angazhuan rreth 460 efektivë dhe punonjës të strukturave të ndryshme, mes tyre rreth 300 forca zjarrfikëse dhe të emergjencave, si dhe 160 forca ushtarake. Ekipet punuan për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.

Pas mesnatës, situata nisi të stabilizohej dhe flakët u vunë pjesërisht nën kontroll. Megjithatë, strukturat e emergjencës vijuan monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave.