Aktualitet

Krijohet Flamingo Mirror, Rama: Nëse qeveria s’i duket mirë qytetarit, përmirësojmë veten jo pasqyrën

Gjatë mbledhjes së grupit të PS-së, kryeministri Edi Rama foli për platformën e re “Pasqyrë Albania”, e cila synon të identifikojë problemet e qytetarëve dhe të kërkojë zgjidhje brenda dy javësh.

Rama njoftoi edhe krijimin e “Flamingo Mirror”, një pjesë e kësaj platforme ku qytetarët do të kenë akses në dokumente, të dhëna dhe informacione për çështje të caktuara publike.

Kryeministri u shpreh se në nga temat e para që do të publikohet në platformë do të jetë Sazani dhe zona Nartë-Pishë Poros. Sipas Ramës, qytetarët do të mund të gjejnë aty dokumentet, procesverbalet, të dhënat, bazën ligjore dhe informacionin për negociatat lidhur me këto çështje.

“Shfaqja e parë e pasqyrës që do jetë e disponueshme për të gjithë do jetë një komponent, Flamingo Mirror, Pasqyra e Flamingos, ku do ekspozohen nga A-ja te ZH-ja... ku tema e Sazanit dhe e Nartë-Pishë Poros, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatës, me të dhënat e procesverbaleve, me statusin e negociatave, referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem, dhe ajo do të pasurohet hap pas hapi me projektin, studimin mjedisor, me gjithçka. Cilido qoftë, në shqip apo anglisht, mund të futet aty dhe të gjejë gjithçka që lidhet me temën. Flamino Mirror është pasqyrë aktive, që do të thotë është aty e gjallë për t’u përgjigjur pyetjeve. Nëse ka diçka që nuk gjendet aty, Flamino Mirror ose do ta plotësojë ose do japë përgjigje përse nuk gjendet aty”.

Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se: "Nëse qeveria s'i duket mirë qytetarit në pasqyrë duhet të përballet me sfidën për të përmirësuar pamjen e vet, jo pasqyrën”.