Beatrix Ramosaj ndihet e lodhur nga përndjekja e adresave anonime

Beatrix Ramosaj jeton prej pesë vitesh në Amerikë. Ish-banorja e “Big Brother VIP” u largua nga Shqipëria dhe nga jeta publike këtu në një moment delikat për të, pasi eksperienca në reality show erdhi me jo pak debate, sidomos për shkak të historisë së saj me Donald Veshajn.
Siç ndodh shpesh, shoqëria i gjykon më gjatë gratë, ndërsa burrat duket sikur e kanë më të lehtë të vazhdojnë jetën.
Por çfarë ka ndodhur gjatë këtyre pesë viteve dhe pse një deklaratë e papritur e Beatrix-it u lidh menjëherë nga rrjeti me një histori të mbyllur prej kohësh?
Koha e reagimit të saj, vetëm pak ditë pas ditëlindjes së Donald Veshajt, mjaftoi që në rrjet të nisnin aludimet. Beatrix e quajti “çmenduri” këtë lidhje dhe sqaroi se shqetësimi i saj ishte krejt tjetër: sipas saj, një person hap vazhdimisht adresa false për të ndjekur dhe mësuar detaje nga jeta e saj.
Dhe kjo, sigurisht, është bezdisëse. Askush nuk do të ndihet i vëzhguar apo i përndjekur, qoftë edhe virtualisht.
Por, për fat të keq, kjo është edhe një pjesë e realitetit të rrjeteve sociale ku jetojmë të gjithë. Gjithmonë do të jetë dikush që do të dijë më shumë për ne, dikush që nuk na pëlqen, që na ka zili, që kërkon të gërmojë aty ku ne do të donim të kishim privatësi.
Ndoshta mënyra më e shëndetshme është të mos i japim këtij zhurmimi më shumë pushtet sesa meriton. Sepse sa herë që hedhim diçka në rrjet, rrjeti është gati të na fusë përsëri në trekëndësha, histori dhe interpretime të mbyllura prej kohësh.
Dhe ndonjëherë, të mos reagosh është pikërisht mënyra më e mirë për të treguar se ke vazhduar përpara.