Sulm me thikë në Times Square, një grua vret 32-vjeçaren dhe plagos një tjetër

Një ngjarje e rëndë ka tronditur të hënën Times Square në New York, ku një grua 49-vjeçare ka sulmuar me thikë dy persona, duke vrarë një prej tyre.
Autorja u qëllua për vdekje nga policia pak çaste më vonë.
Ngjarja ndodhi pak para orës 16:30, pranë një komisariati të Departamentit të Policisë së New York-ut dhe përballë One Times Square, një prej pikave më të frekuentuara nga turistët dhe vendi ku çdo vit zhvillohet ceremonia e ndërrimit të viteve.
Sipas komisioneres së policisë, Jessica Tisch, 49-vjeçarja, e cila banonte në Queens, nxori nga një çantë pazari dy thika të mëdha kuzhine. Ajo sulmoi fillimisht një burrë 68-vjeçar në pjesën e barkut, ndërsa ai sapo kishte dalë nga metroja dhe po priste të kalonte rrugën së bashku me bashkëshorten.
Vetëm pak sekonda më vonë, gruaja sulmoi me thikë edhe një 32-vjeçare, duke e goditur në bark.

Të dy të plagosurit u dërguan me urgjencë në spital. 32-vjeçarja, e identifikuar si Erin Piacenti, zv.presidente e Bank of America, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, ndërsa 68-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në gjendje të qëndrueshme. Policia nuk ka bërë të ditur nëse viktimat ishin turistë apo banorë të New York-ut.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë të paktën 10 efektivë të policisë të mbledhur rreth gruas, e cila mbante në duar dy thika të mëdha kuzhine. Sipas policisë, efektivët tentuan për disa minuta ta bindnin të dorëzonte armët.
Gruaja dyshohet se u tha efektivëve: “Nuk do të lëshoj asgjë. Më mirë t’ju vras të dyve”.
Hetimet për motivin e sulmit vijojnë.