Transparenca e GJKKO-së nën gjykim

Një rregullore e re e brendshme për sigurinë dhe rregullin në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), e cila hyn në fuqi më 1 shtator, kufizon aksesin e gazetarëve, përdorimin e mjeteve të punës dhe raportimin në kohë reale, duke ndezur reagime nga media vendase dhe ndërkombëtare.

300
Rregullorja e re e GJKKO-së
Credits: shteg.org - Rregullorja e re e GJKKO-së

Jashtë perimetrit të sigurisë së lartë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), gazetarët qëndrojnë në radhë për të dorëzuar mjetet e tyre kryesore të punës. Telefonat, laptopët, tabletat dhe regjistruesit e zërit vendosen një nga një në dollapët e vegjël metalikë në hyrje të ndërtesës.

Brenda sallave të gjyqit, të ndara me xham mbrojtës, ish-kryeministra, ish-ministra dhe drejtues të krimit të organizuar përballen me drejtësinë në procese historike që po rikonfigurojnë skenën politike të vendit. Duke nisur nga 1 shtatori, kjo do të jetë skena e përditshme për gazetarët e ngarkuar me detyrën e informimit të publikut për çështjet e drejtësisë, por raportimi në kohë reale duket se do të jetë i pamundur.

Një rregullore e re e brendshme për sigurinë dhe rregullin në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila hyn në fuqi më 1 shtator, ka nxitur një valë të fuqishme reagimesh nga komuniteti i gazetarëve, organizatat vendase e ndërkombëtare të medias dhe Dhoma e Avokatisë.

Nën drejtimin e kryetarit në detyrë Erion Bani, dokumenti i miratuar më 17 korrik dhe i bërë publik vetëm në fund të muajit gusht përcakton kufizime drastike mbi praninë e medias, regjistrimet dhe përdorimin e pajisjeve teknologjike brenda ndërtesës së gjykatës.

Gazetarët dhe organizatat mbrojtëse të lirisë së shprehjes e kanë cilësuar këtë hap si një tentativë për të “bunkerizuar” drejtësinë dhe për të vendosur censurë mbi proceset me interes të lartë publik.

Nën argumentin e garantimit të sigurisë dhe rendit publik, rregullorja e re e brendshme ka vendosur një sërë pengesash administrative që, sipas mbrojtësve të lirisë së medias, rrezikojnë të krijojnë një efekt frenues mbi gazetarinë analitike dhe investigative.

GJKKO është zemra e reformës historike në drejtësi, e mbështetur nga partnerët perëndimorë. E krijuar për të goditur pandëshkueshmërinë, kjo gjykatë e posaçme, së bashku me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ka hetuar dhe dërguar për gjykim figura të nivelit më të lartë politik dhe shtetëror.

Për shkak se besimi i publikut te sistemi i drejtësisë ka qenë historikisht i ulët, legjitimiteti i GJKKO-së bazohet te transparenca absolute. Në çështjet që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe fonde publike, publiciteti i seancave nuk është thjesht një formalitet procedural; është mekanizmi kryesor përmes të cilit qytetarët verifikojnë se drejtësia po jepet në mënyrë të paanshme.

“Kur një gjykatë vepron në një terren me ngarkesë të lartë politike, vëzhgimi publik është mburoja e saj më e fortë kundër akuzave për anshmëri”, thotë Lindita Çela.

“Nëse publiku nuk mund të shohë se si zbatohet ligji, skeptikët dhe propaganda e mbushin menjëherë hapësirën”, shton gazetarja.

Rregullorja e brendshme e miratuar nga Këshilli i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me Vendimin nr. 49, datë 17.07.2026, përcakton kornizën zyrtare për sigurinë, rendin dhe solemnitetin në ambientet e këtij institucioni. Për sa i përket marrëdhënies me median dhe gazetarët, dokumenti vendos rregulla strikte administrative që përfshijnë përdorimin e pajisjeve teknologjike, aksesin në salla dhe procedurat e raportimit.

Përtej terminologjisë teknike ligjore, ky dokument ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si media mbulon proceset më të ndjeshme gjyqësore në vend.

“Bunkerizim” dhe “Censurë e Hapur”

Rregullorja e brendshme e GJKKO-së e koncepton aksesin e medias përmes një regjimi të kontrolluar, ku ruajtja e pajisjeve elektronike bëhet në hyrje, hyrja në sallë i nënshtrohet kuotave dhe përparësive administrative, ndërsa çdo veprimtari xhirimi apo intervistimi brenda ndërtesës kushtëzohet nga leja paraprake e drejtuesve të gjykatës.

Pika e parë e takimit mes gazetarëve dhe rregullores së re të GJKKO-së fillon te trau i kontrollit të sigurisë. Sipas neneve 30 dhe 31 (pikat 5-9), çdo përfaqësues i medias që kalon në zonat me akses të kontrolluar është i detyruar të dorëzojë në dollapët e sigurisë mjetet kryesore të punës: telefonat celularë, laptopët, tabletat dhe çdo pajisje tjetër regjistruese apo komunikimi.

Mospasja e aksesit në mjetet e komunikimit vijon edhe brenda ndërtesës. Neni 56 ndalon në mënyrë absolute transmetimet e drejtpërdrejta (live) audio apo video, si dhe çdo fotografim apo filmim të paautorizuar brenda mureve të gjykatës.

Në praktikën e përditshme gazetareske, ky rregullim pamundëson raportimin tekstual në kohë reale (live-blogging) nga salla e gjyqit, duke e kthyer punën e medias te fletorja e shënimeve me dorë dhe duke ngadalësuar rrjedhën e lajmit drejt publikut.

“Të na heqësh telefonat dhe mjetet e punës do të thotë të na pamundësosh verifikimin e faktit në kohë reale dhe komunikimin me redaksitë. Ne nuk jemi këtu për të publikuar njoftimet e shkurtra të gjykatës pasi ka përfunduar seanca, por për të informuar publikun mbi mënyrën se si po zhvillohet gjykimi”, u shpreh gazetarja Glidona Daci.

Por edhe kur gazetari arrin të futet brenda ndërtesës pa mjetet e tij elektronike, prania e tij në sallën e gjyqit nuk është e garantuar automatikisht.

Neni 65 (pikat 3-4) vendos një hierarki të qartë të pranisë së publikut kur kapaciteti fizik i sallës është i kufizuar. Në vend të parë renditen subjektet e procesit, në vend të dytë familjarët e të pandehurve, ndërsa media pozicionohet në radhë të tretë, ku i rezervohet vetëm një kuotë e caktuar vendesh. Për të menaxhuar këtë ngushtim hapësire, neni 5 (pikat 31 dhe 33) zyrtarizon përdorimin e mekanizmit “Media Pool”, ku një grup i përzgjedhur përfaqësuesish merr informacionin dhe e ndan atë me pjesën tjetër të kolegëve. Gjithashtu, neni 10 i hap rrugë zhvillimit të seancave në distancë apo në mënyrë hibride për arsye sigurie.

Sipas ekspertëve të komunikimit të kontaktuar nga shteg.org, kjo arkitekturë administrative rrezikon që, në proceset me interes të madh publik, gazetarët e pavarur të mbeten jashtë dyerve nëse vendet zihen nga familjarët apo nëse “pool-i” nuk funksionon me transparencë të plotë.

“Kjo rregullore e kthen GJKKO-në në një ‘kështjellë të izoluar’, ku vëzhgimi publik pamundësohet. Drejtësia nuk mund të jepet prapa dyerve të mbyllura apo e dozuar vetëm përmes njoftimeve me shkrim nga administrata. Pa gazetarët në sallë me mjetet e tyre të punës, transparenca zëvendësohet nga kontrolli burokratik”, nënvizon gazetarja Anila Hoxha.

Përpjekja e gjykatës për të administruar mjedisin informativ shtrihet edhe në hapësirat e përbashkëta të ndërtesës. Sipas neneve 48 (pika 2/d) dhe 57, asnjë gazetar nuk mund të marrë intervista, të bëjë foto apo të xhirojë në hollet dhe korridoret e gjykatës pa marrë më parë një autorizim zyrtar nga Kryetari i Gjykatës. Në të njëjtën kohë, rregullorja (nenet 54 dhe 72) vendos detyrime strikte për mbrojtjen e figurës, të dhënave personale dhe sigurisë fizike të dëshmitarëve të mbrojtur, viktimave dhe palëve në proces. Ndërsa mbrojtja e dëshmitarëve është një qëllim i arsyetuar i drejtësisë penale, kërkesa për leje paraprake për çdo komunikim në korridore i jep drejtuesve të gjykatës një diskrecion të gjerë administrativ mbi lëvizjet e medias brenda godinës.

“Kjo është censurë e hapur. Këto masa përkthehen në një bunkerizim të gjykatës, ku aksesi pamor dhe informativ kontrollohet tërësisht nga infrastruktura e vetë institucionit, duke përjashtuar raportimin e pavarur dhe është një përpjekje për censurë”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Në të njëjtën linjë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), përmes kryetarit Aleksandër Çipa, thekson se rregullorja i trajton gazetarët si një kërcënim për procesin gjyqësor:

“Ka përcaktime kufizuese, censuruese dhe burokratike. Drejtuesit e gjykatës duket se i shohin gazetarët si rrezik për procesin gjyqësor. Kërkesa për akreditim vjetor apo leje të posaçme për çdo seancë është një paradoks burokratik që cenon ligjin dhe Kushtetutën”, deklaroi Çipa.

Gazetarë të tjerë, si Armand Bajrami, Isa Myzyraj (Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë – AGSH), Eni Ferhati dhe Keti Banushi, nënvizojnë se kufizimi i raportimit nga hollet dhe detyrimi për kërkesa të posaçme autorizimi nga Kryetari i Gjykatës krijojnë një mjedis presioni dhe intimidimi subjektiv mbi gazetarët e terrenit.

Gjykata e Posaçme nuk iu përgjigj pyetjeve për koment të dërguara nga shteg.org, por analistët juridikë vërejnë se, ndërsa ndalimi i kamerave apo regjistrimeve audio pa leje gjykate është një praktikë e njohur ndërkombëtarisht, “barazimi i laptopit ose tabletës së gazetarit me një mjet rreziku sigurie krijon një pengesë të pajustifikuar për raportimin e saktë”.

Detyrimi i gazetarëve për t’u mbështetur te letra dhe lapsi ose te njoftimet zyrtare me shkrim i jep administratës së gjykatës kontroll mbi shpejtësinë dhe detajet e lajmit.

Fronti ndërkombëtar i Medias

Liria shprehjes
Credits: Respublika – Liria medias

Reagimi ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kapërcyer me shpejtësi kufijtë e Shqipërisë, duke vënë në lëvizje organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit. Nga Parisi në Bruksel, zërat e rrjeteve globale të gazetarisë janë bashkuar në një front të vetëm, duke kërkuar pezullimin ose anulimin e menjëhershëm të masave kufizuese që bllokojnë punën e medias në terren.

Në një reagim publik, organizata “Reporterët Pa Kufij” (RSF) ngriti alarmin se rregullorja e brendshme e GJKKO-së krijon një precedent të rrezikshëm, duke i trajtuar gazetarët apriori si “të dyshuar” apo kërcënim për procesin gjyqësor. Përmes një qasjeje ndaluese të përgjithshme, gjykata u heq gazetarëve të drejtën e përdorimit të mjeteve dixhitale të punës. Për këtë arsye, RSF insiston se dokumenti duhet të pezullohet pa vonesë dhe t’i nënshtrohet një procesi transparent konsultimi me shoqatat e gazetarëve.

Nga ana e saj, Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) e cilësoi këtë akt si një pengesë direkte për transparencën e sistemit të drejtësisë. EFJ nënvizoi se masat e reja bllokuese bien ndesh me vetë Udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) të vitit 2023, të cilat synonin rregullimin e marrëdhënieve me median mbi parimin e bashkëpunimit dhe hapjes.

Në të njëjtën linjë ishte edhe rrjeti “SafeJournalists”, i cili kërkon anulimin pa kushte të dispozitave kufizuese.

Por duket se rregullorja bie ndesh edhe me një sërë konventash të nënshkruara nga Shqipëria dhe me praktikën gjyqësore sa i përket lirisë së medias.

Sipas nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), media ushtron rolin e “qenit të rojës së publikut” (public watchdog) në një shoqëri demokratike. Po ashtu, neni 6(1) i KEDNJ-së përcakton se seancat gjyqësore duhet të jenë publike, përveç rasteve të përjashtimeve të përcaktuara qartë me ligj.

Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) ka vendosur standarde të qarta mbi balancimin e sigurisë gjyqësore me lirinë e shtypit:

Në çështjen “Riepan kundër Austrisë”, GJEDNJ vendosi se zhvillimi i seancave në kushte strikte administrative, pa ofruar masa zbutëse kompensuese (si transmetimi i sinjalit audio/video në një sallë ndihmëse për median), cenon parimin e procesit të rregullt ligjor.

Po ashtu, në një çështje tjetër me interes të lartë publik, atë të “Axel Springer AG kundër Gjermanisë”, Gjykata nënvizoi se, kur procesi zhvillohet ndaj figurave publike ose shtetërore, interesi i publikut për t’u informuar (neni 10) peshon më shumë se pretendimet e përgjithshme për mbrojtjen e imazhit apo privatësisë.

Ekspertët e së drejtës kushtetuese nënvizojnë se, sipas nenit 17 të Kushtetutës së Shqipërisë, çdo kufizim i të drejtave themelore, përfshirë lirinë e medias, mund të bëhet “vetëm me ligj të miratuar nga Kuvendi” dhe jo përmes akteve administrative nënligjore të nxjerra nga vetë organet e drejtësisë.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.