Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, duke e dënuar me 2 vite e 8 muaj burg. Vendimi erdhi pas akuzave për shpërdorim detyre, zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, si dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë.
Gjykata fillimisht caktoi një dënim prej 4 vitesh burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa e dënimit u ul në 2 vite e 8 muaj. Krahas burgimit, GJKKO vendosi t’i heqë Haxhiajt të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas vendimit të zbardhur të gjykatës, ish-efektivi u dënua me 2 vite burg për veprën penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, me 3 vite e 6 muaj burg për “Korrupsionin pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, si dhe me 2 vite e 6 muaj burg për “Shpërdorimin e detyrës”.
Pas bashkimit të dënimeve, gjykata caktoi një masë të vetme prej 4 vitesh burg, e cila u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.
Haxhiaj u arrestua nga SPAK-u më 27 nëntor 2025 dhe do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Periudha e qëndrimit në paraburgim do t’i llogaritet në dënimin përfundimtar. Gjithashtu, ai është ngarkuar me shpenzimet e hetimit dhe të procesit gjyqësor.
Hetimet ndaj Haxhiajt u mbyllën në maj të këtij viti. Sipas akuzës, ai rezulton i përfshirë në një grup të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës, ku përmendet edhe grupi i drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”.
Prokuroria ka administruar një sërë komunikimesh në platformën e enkriptuar SkyECC, të cilat, sipas hetuesve, implikojnë Haxhiajn në veprimtari të lidhura me trafikun e drogës gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën si oficer i strukturave operacionale.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























