Pasuri të paluajtshme, llogari bankare, kompani dhe mjete transporti me një vlerë të parashikuar rreth 440 milionë euro janë vendosur nën sekuestro preventive nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.
Bilanci i publikuar nga SPAK-u për periudhën 1 janar–15 korrik tregon se hetimet kanë pasur një fokus të veçantë në gjurmimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga korrupsioni, trafiku i paligjshëm apo forma të tjera të veprimtarisë kriminale.
“Në kuadër të pesë procedimeve penale, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, gjykata ka vendosur masa sekuestroje preventive mbi pasuri me vlerë të vlerësuar paraprakisht në rreth 440 milionë euro”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Asetet e sekuestruara përfshijnë mbi 150 mijë metra katrorë toka, troje dhe sipërfaqe pyjore, më shumë se 60 vila, apartamente dhe struktura hoteliere, mbi 10 shoqëri tregtare së bashku me kapitalet dhe asetet e tyre, më shumë se 620 llogari bankare, si dhe rreth 100 automjete e mjete lundruese.
SPAK-u ka sqaruar se masat e sekuestros preventive nuk përbëjnë konfiskim përfundimtar, por janë një instrument ligjor për të parandaluar tjetërsimin ose fshehjen e pasurive gjatë procesit hetimor. Sipas institucionit, hetimet financiare synojnë të zbardhin mënyrën e krijimit, transferimit, administrimit apo investimit të pasurive me origjinë të dyshuar kriminale në ekonominë e ligjshme.
Gjatë periudhës raportuese, SPAK-u ka zhvilluar hetime ndaj shtatë grupeve kriminale të konsideruara me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe kapacitete të konsiderueshme financiare.
Në kuadër të 18 procedimeve penale, Gjykata e Posaçme ka vendosur 97 masa sigurimi ndaj 94 personave. Prej tyre, 37 persona janë vendosur në arrest në burg, ndërsa masat e tjera kanë përfshirë arrestin në shtëpi, detyrimin për paraqitje në policinë gjyqësore, ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra.
Më 15 korrik 2026, SPAK-u kishte në hetim 550 persona, ndërsa 59 prej tyre ndodheshin në arrest në burg gjatë fazës së hetimeve paraprake.
Drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, deklaroi se institucioni ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë gjysmës së parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Kemi bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë kësaj gjysme të parë të vitit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, u shpreh Braho.
Ai theksoi se hetimet vijojnë mbi bazën e provave dhe fakteve, ndërsa një pjesë e çështjeve mbeten komplekse dhe kërkojnë kohën e nevojshme për përfundimin e tyre.
Në hetim edhe zyrtarë të lartë
Paralelisht me goditjen e grupeve kriminale dhe gjurmimin e pasurive, SPAK-u ka vijuar hetimet ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të niveleve të larta.
Sipas të dhënave të publikuara, 13 procedime penale përfshijnë 16 persona që kanë mbajtur poste të larta publike. Në këtë listë përfshihen kryetarë dhe ish-kryetarë bashkish, drejtues institucionesh qendrore, gjyqtarë, prokurorë, ministra ose ish-ministra, si dhe një deputet.
Ndërkohë, në çështjet e dërguara për gjykim gjatë kësaj periudhe janë përfshirë 12 zyrtarë ose ish-zyrtarë të nivelit të lartë.
SPAK-u bëri të ditur se gjatë periudhës raportuese janë ekzekutuar vendime dënimi të formës së prerë ndaj 74 personave.
Nga këta, 48 persona janë dënuar me burgim, 25 kanë përfituar pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vendosje në periudhë prove, ndërsa për një person dënimi është konvertuar në punë në interes publik.
Gjykatat kanë vendosur gjithashtu masa plotësuese ndaj 24 personave. Për 22 prej tyre është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike, ndërsa dy persona janë privuar nga e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit.
Bashkëpunimi me autoritetet e huaja ka qenë një tjetër komponent i rëndësishëm i punës së SPAK-ut gjatë kësaj periudhe.
Institucioni ka dërguar 107 kërkesa për ndihmë juridike drejt autoriteteve ndërkombëtare dhe ka trajtuar 40 kërkesa të ardhura nga vende të tjera.
Hetimet e mbështetura përmes këtij bashkëpunimi kanë prekur fusha si trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve, pastrimi i parave, trafikimi i armëve, trafikimi i personave, korrupsioni dhe mashtrimi kompjuterik.
Gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë krijuar gjashtë skuadra të reja të përbashkëta hetimore, duke e çuar në 33 numrin total të skuadrave aktive.
Ndërkohë, 36 persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për ekzekutimin e masave të sigurimit ose vendimeve penale të formës së prerë.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.



























