Gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë shpallen fajtorë për shkelje të barazisë në tendera

Tre prej tyre u dënuan me 120 orë punë në interes publik, ndërsa tre të tjerë me 16 muaj liri me kusht dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për pesë vjet.

228
Gjykata e Posaçme
Credits: shteg.org - Gjykata e Posaçme

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli të martën fajtorë gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në procedurat e tenderave, në një çështje që lidhet me një kontratë publike me vlerë rreth 1 milion euro.

Në vendimin nr. 62, të datës 28 korrik 2026, gjykata deklaroi fajtorë Dorjan Spahon, Sara Xhepën (Doko), Roklejd Malkon, Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.

Sipas vendimit, secili prej tyre u dënua fillimisht me një vit burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në tetë muaj.

Për Dorjan Spahon, Sara Xhepën dhe Roklejd Malkon, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe zëvendësimin e tij me 120 orë punë në interes publik, të cilat duhet të kryhen brenda gjashtë muajve, nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.

“Urdhërohet i pandehuri Dorjan F. Spaho të kryejë 120 (njëqind e njëzet) orë punë në interes publik dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”, thuhet në vendim. E njëjta masë u aplikua edhe për Sara Xhepën dhe Roklejd Malkon.

Për Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien në provë për 16 muaj, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, të treve u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.

“Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit … i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh”, thuhet në vendim.

Gjykata saktësoi se çështja u shqyrtua me rregullat e gjykimit të shkurtuar dhe se vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve nga njoftimi.

Vendimi i GJKKO-së ishte më i butë se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme. SPAK-u kishte kërkuar dënime me burg për të gjashtë zyrtarët, ndërsa gjykata vendosi masa alternative, duke zëvendësuar burgimin me punë në interes publik për tre prej tyre dhe me liri me kusht për tre të tjerët.

Ndërkohë, hetimet e SPAK-ut për Bashkinë e Divjakës vijojnë në një dosje tjetër. Më 14 korrik, prokuroria dërgoi për gjykim ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Për të njëjtën akuzë janë marrë të pandehur edhe Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo.

Sipas SPAK-ut, hetimet kanë treguar se në qershor 2021 Bashkia e Divjakës lidhi dy kontrata qiraje 10-vjeçare për ndërtimin e impianteve fotovoltaike. Prokuroria pretendon se procedurat janë kryer në kundërshtim me ligjin, ndërsa përgjegjësitë penale të ish-kryebashkiakut dhe tre bashkëpandehurve do të shqyrtohen në një proces të veçantë në GJKKO.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.