Hija e Laert Haxhiut dhe vrasjet e Lushnjës

Dëshmia e Xhuliano Xhaferrajt në Gjykatën e Posaçme riktheu në skenë vrasjen e Fridmanit dhe historinë e konflikteve që prokuroria i lidh me një seri atentatesh të bujshme.

253
Laert Haxhiu, i dënuar për ngjarjet e ndodhura në Lushnje
Credits: shteg.org - Laert Haxhiu, i dënuar për ngjarjet e ndodhura në Lushnje

Një dëshmi e dhënë sot në Gjykatën e Posaçme riktheu në vëmendje një prej historive më të errëta kriminale të viteve të fundit në Lushnjë. Nga vrasja e Fridman Xhaferrajt te përplasjet e përgjakshme mes grupeve rivale, emrat, dyshimet dhe rrëfimet e dëshmitarëve vijojnë të zbulojnë pjesë të një dosjeje ku ndërthuren miqësi të vjetra, konflikte familjare dhe akuza për hakmarrje.

Xhuliano Xhaferraj hyri në sallën e gjyqit me pranga në duar. Ai nuk erdhi si dëshmitar i një krimi që kishte parë me sytë e tij, por si vëllai i një viktime, i cili për vite ka kërkuar të kuptojë se çfarë ndodhi me Fridmanin.

Në momentin kur vëllai i tij u vra, Xhuliano ishte në burg. Lajmin nuk e mori atëherë. E mësoi vetëm pasi doli nga qelia.

Ai rrëfeu para gjykatës se, sapo kishte përfunduar dënimin, kishte shkuar në shtëpinë e vjehrrit, ku gjeti policinë duke kryer kontrolle. Ishte aty ku mori vesh se Fridmani ishte gjetur i pajetë në rezervuarin e Drenovës.

Një vdekje që për familjen Xhaferraj mbeti e mbështjellë me pikëpyetje.

“Kur flisja me të nga burgu, më kishte thënë se do të ikte jashtë shtetit, në Itali”, tregoi ai.

Sipas dëshmisë së tij, Fridmani kishte menduar të largohej nga Shqipëria. Edhe vëllai tjetër ishte nisur drejt Greqisë. Për udhëtimin, sipas Xhulianos, ishin përfshirë persona që e kishin ndihmuar me biletën dhe lëvizjen.

Por pas vrasjes, në Lushnjë nisën të qarkullonin fjalë. Dhe një prej emrave që përmendej ishte ai i Laert Haxhiut.

Kështu flitej në Lushnjë

Xhuliano Xhaferraj tregoi se kishte pyetur edhe babanë e Laert Haxhiut nëse dinte diçka për vrasjen e Fridmanit.

Sipas tij, në qytet flitej se Fridmani kishte qenë pranë Laertit dhe se mund të ishte vrarë pasi kishte folur. Por vetë dëshmitari nuk e konfirmoi këtë version.

“Nuk jam i sigurt, por kështu flitej”, tha ai para gjykatës.

Madje, në një moment të dëshmisë së tij, ai mbajti një qëndrim që ndryshoi tonin e akuzës.

“Unë nuk jam fare i sigurt që e ka bërë Laerti këtë gjë”, deklaroi Xhaferraj.

Ai tha se familjet njiheshin prej vitesh dhe se Laert Haxhiu e kishte mbajtur afër Fridmanin.

Një marrëdhënie që sot shihet nën dritën e një procesi ku prokuroria pretendon ekzistencën e një zinxhiri konfliktesh dhe ekzekutimesh.

Emri i Laert Haxhiut është lidhur nga drejtësia me një prej ngjarjeve më të rënda kriminale në Lushnjë.

Më 11 tetor 2017, në hyrje të një lokali, dy të rinj, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, u ekzekutuan me breshëri automatiku.

Një person i maskuar zbriti nga automjeti, u afrua drejt lokalit dhe hapi zjarr. Objektivi i dyshuar, sipas hetimeve, ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Por plumbat morën jetën e dy personave që ndodheshin aty. Një kalimtar dhe pronari i lokalit mbetën të plagosur. Për këtë krim, Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm si autor kryesor.

Hetuesit e kanë parë këtë ngjarje si pjesë të një zinxhiri hakmarrjesh të nisura vite më parë. Sipas dosjes, konflikti lidhet me përplasjet mes grupit të lidhur me Aldo Baren dhe familjes së Laert Haxhiut.

Në historikun e përmendur nga hetimet janë edhe episode të mëparshme, përfshirë djegien e shtëpisë së xhaxhait të Laert Haxhiut dhe vrasjen e Klodian Haxhiut në vitin 2005. Më pas, sipas akuzës, Haxhiu dyshohet se kishte tentuar të eliminonte Xhulio Shkurtin, fillimisht në vitin 2016 dhe më pas në atentatin e vitit 2017.

Për realizimin e këtij qëllimi, prokuroria ka pretenduar se pas vitit 2016 ishte krijuar një grup kriminal ku përfshiheshin persona të afërt me Haxhiun, mes tyre Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi, ndërsa për disa persona të tjerë hetimet kanë vijuar.

Dëshmitë që shtojnë pjesë të mozaikut

Në të njëjtin proces u dëgjua edhe Sami Bashaliu, dëshmitar i vrasjes së Albi Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit, më 27 dhjetor 2021. Ai riktheu në sallën e gjyqit një tjetër skenë ekzekutimi.

Ai tregoi se ishte mëngjes dhe një ditë me shi kur një automjet me xhama të errët u parkua pranë shtëpisë së tij. Sipas tij, makina mund të ishte një “Audi” e bardhë.

Pak më vonë, Albi Bashaliu kishte shkuar për kafe. Nga automjeti kishte dalë një person, i cili i ishte afruar dhe, pas një bisede të shkurtër, kishin nisur të shtënat.

Dëshmitari tha se autori ishte i gjatë dhe i hollë dhe se kishte qëlluar një ose dy herë. Më pas, sipas tij, personi i armatosur i kishte kërkuar të futej brenda lokalit, ndërsa më vonë autorët kishin marrë çelësat e makinës së viktimës dhe i kishin vënë flakën automjetit.

Bashaliu solli në kujtesë edhe një tjetër konflikt të vjetër: vrasjen e vëllait të Albit, Leonardit, në Itali dhe më pas në një fshat tjetër, një ngjarje që, sipas tij, kishte ndodhur më pak se një vit para ekzekutimit të Albit.

Laert Haxhiu është shpallur fajtor nga drejtësia shqiptare për një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit, të njohur si “Masakra e Lushnjës”, e ndodhur më 11 tetor 2017.

Sipas akuzës së Prokurorisë së Posaçme, Haxhiu ka qenë organizator dhe autor kryesor i atentatit ndaj Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, por ngjarja përfundoi me vrasjen e dy të rinjve, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, të cilët ndodheshin në një lokal në Lushnjë.

Hetimet kanë ngritur dyshimin se atentati ishte pjesë e një serie konfliktesh dhe hakmarrjesh të hershme mes grupeve rivale kriminale. Sipas dosjes së akuzës, për realizimin e këtij atentati ishte krijuar një grup i strukturuar kriminal, ku përfshiheshin persona të afërt me Haxhiun.

Më 11 tetor 2017, një person i maskuar dhe i armatosur me kallashnikov iu afrua lokalit ku ndodheshin viktimat dhe hapi zjarr me breshëri. Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në vend, ndërsa persona të tjerë u plagosën.

Pas hetimeve disavjeçare, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e shpalli Laert Haxhiun fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm si autor kryesor të kësaj ngjarjeje.

Vendimi i gjykatës u mbështet në provat e administruara gjatë procesit dhe në konkluzionin se Haxhiu kishte rol drejtues në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.

Përveç vrasjes së dyfishtë në Lushnjë, emri i Laert Haxhiut është përmendur edhe në hetime të tjera për ngjarje të rënda kriminale, ku prokuroria ka pretenduar përfshirjen e tij në një seri konfliktesh dhe ekzekutimesh të lidhura me hakmarrje mes grupeve rivale.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.