Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do t’i linte në fuqi amendamentet e ligjit për zonat e mbrojtura, protesta, me shumë gjasë, nuk do të ndodhte…
Nuk do të shihnim në Zvërnec gardhe me tela me gjemba dhe buldozerë që “hapin rrugë për komunitetin”, dhe nuk do të patakseshim nga zvarritja e protestuesit nga roje private, në sy të drejtuesve të policisë, të cilët edhe u goditën me sprej piper.
Dhe ndoshta protesta, që më pas mbërriti brenda ditës në kryeqytet, nuk do të merrte përmasat që mori, duke e zhvendosur vëmendjen e medias perëndimore nga Teherani në Tiranë.
Për rrjedhojë, nuk do të kishim nevojë ta kthenim “Besën” në odën e burrave!
Një gjykatë e pavarur i vë kufirin te thana pushtetit. Një gjykatë me integritet garanton se ligji është i barabartë për të gjithë dhe nuk shkruhet për interesat e një personi apo të një grushti njerëzish.
Shtet i së drejtës do të thotë që qeveria nuk mund të bëjë çfarë të dojë, kur të dojë, sa të dojë, si të dojë dhe kundër kujt të dojë.
Kur drejtësia kushtetuese vepron me shpejtësi dhe besueshmëri, ajo nuk mbron vetëm Kushtetutën, por ul konfliktin politik, shmang tensionet shoqërore, rrit besimin e qytetarëve dhe krijon një klimë më të mirë edhe për ekonominë.
Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në stabilitetin politik, institucional dhe demokratik të një vendi. Ajo duhet të shprehet shpejt, saktë dhe qartë.
Në fund, nuk mund të thuhet me siguri se një vendim tjetër do ta kishte penguar protestën, por mund të thuhet me siguri se një vendim tjetër mund të kishte shmangur zinxhirin e ngjarjeve që e sollën atë.
Një vendim tjetër i gjykatës do të bënte që sot të flisnim për gjithçka; ndoshta do t’i bënim gjyqin Gianni Infantinos.
Një vendim tjetër do ta rriste besimin te institucionet, pa qenë nevoja të kërkonim shpëtim te “Besa”.



























