
Drejtuesit e një organizate kriminale me origjinë shqiptare nuk kishin nevojë të preknin me dorë asnjë pako me kokainë. Nga kullat luksoze dhe rezidencat e mbrojtura të Dubait, emiratit të Gjirit Persik që shërben si parajsë dhe mburojë për kriminelët ndërkombëtarë, ata zotëronin gjënë më të rëndësishme në botën e krimit të organizuar: paratë dhe kontrollin e rrjetit.
Një hetim ndërkombëtar i Njësisë Qendrore Operative të Gardës Civile Spanjolle (UCO), në bashkëpunim me Policinë Kombëtare të Ekuadorit, çoi në zbulimin e një organizate kriminale, me bazë kryesisht në La Rioja, e cila dyshohet se kishte krijuar një rrjet të mirëstrukturuar për të futur sasi të mëdha kokaine përmes kontejnerëve, nëpërmjet porteve të Malagas, Algecirasit dhe Valencias.
Si një nga shtyllat kryesore të këtij rrjeti kompleks ndërkombëtar, udhëheqësit shqiptarë jo vetëm që siguronin kapitalin e nevojshëm për blerjen e sasive të mëdha të kokainës në Amerikën e Jugut, por gjithashtu injektonin shuma të mëdha parash në kompanitë spanjolle. Këto injeksione financiare shërbenin si pagesa për të mbajtur aktivitetin e kompanive dhe për të kamufluar dërgesat e mëdha periodike të drogës drejt Evropës.
Në Spanjë, si rezultat i këtij hetimi, që zgjati më shumë se dy vjet, janë kryer kontrolle në banesa dhe arrestime në provincat e La Rioja-s, Alicante-s, Seviljes dhe Cadiz-it.
Rreth një milion euro, të fshehura në tri kuti këpucësh, të mbushura plot e përplot dhe të ruajtura nën një krevat, u sekuestruan gjatë kontrollit të banesës së njërit prej dy vëllezërve sipërmarrës nga Arnedo, në La Rioja, një qytet me 15.000 banorë. Ai u arrestua me dyshimin se ishte një nga anëtarët e rrjetit që importonte ngarkesa të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për shpërndarjen e saj të mëvonshme në Evropë.
Sipas autoriteteve spanjolle, dy vëllezërit e arrestuar figurojnë si administratorë të shoqërive tregtare të lidhura me transportin e mallrave me rrugë tokësore, importin e pemëve dhe perimeve, si dhe tregtinë me shumicë të parfumerisë dhe kozmetikës.
Përveç kësaj, ata janë pronarë të agjencive detare, të ngarkuara me menaxhimin e procedurave për shkarkimin e anijeve në portet spanjolle. Sipas hetimeve, ata i shfrytëzonin kompanitë për të marrë në dorëzim dërgesat, kryesisht të produkteve ushqimore, miellit të bananes, bananeve, ananasit, qepëve, lëndës drusore dhe mbeturinave metalike (skrap), në të cilat, me origjinë kryesisht nga porti i Guayaquil-it, fshihej droga.

Hetimet tregojnë se ky rrjet kompanish u shërbente atyre jo vetëm për importin e mallrave, por edhe për të injektuar para, të cilat dyshohet se përfitoheshin nga trafiku i lëndëve narkotike.
Hetuesit kanë ngritur gjithashtu dyshime se dy vëllezërit, administratorë dhe pronarë të një duzine kompanish, vepronin edhe me porosi të një organizate me origjinë shqiptare, drejtuesit e së cilës fshihen në Dubai.
Media spanjolle El País ka konfirmuar se dy vëllezërit kishin lidhje të drejtpërdrejta me investitorët që siguronin paratë për të blerë sasi të mëdha kokaine, gjë që i bënte ata, sipas hetuesve, “hallkën kryesore për futjen e saj në Evropë nga Amerika e Jugut”.
Më i vogli nga vëllezërit, i cilësuar nga Garda Civile si udhëheqësi i grupit, u arrestua më 21 janar 2025, pas sekuestrimit të një prej ngarkesave të drogës në portin e Valencias. Që nga ajo kohë, ai ndodhet në burg. Vëllai i dytë u arrestua më 20 korrik, në të njëjtën ditë kur u kryen kontrollet që çuan në zbulimin e parave në banesën e tij.
“Ata kishin një nivel të lartë jetese, por shmangnin reklamimin e tij”, theksojnë burimet e cituara nga El País.
Autoritetet spanjolle i konsiderojnë dy vëllezërit si një nga tri shtyllat e një strukture të ndërlikuar kriminale me karakter ndërkombëtar, në të cilën funksioni i tyre ishte, sipas hetuesve, “të lehtësonin” tranzitin e drogës mes dy kontinenteve nëpërmjet shoqërive të tyre.
Bashkë me ta janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë me kombësi spanjolle dhe marokene, të përfshirë, sipas hetimeve, në aktivitetin kriminal. Përveç kontrolleve në La Rioja, janë kryer edhe kontrolle në Alicante, Sevilje dhe Kadiz, si dhe janë bllokuar prona të shumta, automjete dhe produkte financiare.
Hetuesit dyshojnë se një degë tjetër e rrjetit ndodhej në Ekuador, prej nga nisej me anije një pjesë e madhe e kokainës së fshehur në kontejnerë.
Në këtë shtet, policia, me mbështetjen e Gardës Civile, kreu 38 arrestime dhe rreth pesëdhjetë kontrolle në mars të vitit 2025, pak kohë pas arrestimit të vëllait të parë në La Rioja.
Gjithashtu, atje u sekuestrua një pjesë e ngarkesave me lëndë narkotike që autoritetet besojnë se i përkisnin këtij rrjeti ndërkombëtar trafikantësh, drejtuesit e të cilit dyshohet se ndodheshin në Dubai.
Ky grup përbëhej nga investitorë me origjinë shqiptare, të cilët, përveçse siguronin paratë për blerjen e kokainës, “injektonin sasi të mëdha parash në kompanitë spanjolle, të cilat, nga ana e tyre, shërbenin si pagesa për t’u dhënë aktivitet atyre dhe për të kamufluar kështu dërgesa të mëdha periodike droge”, sqaron Garda Civile në një njoftim zyrtar.
Në Spanjë, si rezultat i këtij hetimi, që zgjati më shumë se dy vjet, janë kryer kontrolle në banesa dhe arrestime në provincat e La Rioja-s, Alicante-s, Seviljes dhe Kadiz-it.
Mes gushtit të vitit 2023 dhe nëntorit të vitit 2024, autoritetet goditën rrjetin, duke sekuestruar mbi 21 tonë kokainë në operacione të ndryshme të zhvilluara në Ekuador, Brazil dhe Spanjë.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.
























