Autoritetet shqiptare nisin procedurat për ekstradimin e Ermal Beqirit

Ministria e Drejtësisë thotë se kërkesa zyrtare për ekstradimin e Ermal Beqirit është dorëzuar pranë autoriteteve franceze, ndërsa ai kërkohet nga SPAK në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe krim të organizuar.

297
Ermal Beqiri/Ilustrim
Credits: Ergin Zaloshnja - Ermal Beqiri/Ilustrim

Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë i ka dërguar autoriteteve franceze kërkesën zyrtare për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, i cili kërkohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për akuza që lidhen me një hetim mbi abuzime të dyshuara me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Në një njoftim të publikuar të mërkurën, ministria tha se kërkesa për ekstradim është përcjellë pranë autoriteteve kompetente franceze, së bashku me dokumentacionin procedurial, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik mes dy vendeve.

“Vijimi i procedurës së ekstradimit do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin e Republikës Franceze dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Beqiri u arrestua më 24 korrik në Penly të Francës, pas një kërkese të autoriteteve shqiptare. Sipas SPAK, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në dhjetor 2025, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.

SPAK ka bërë të ditur se Beqiri dyshohet si pjesë e një grupi të akuzuar për korrupsion, organizatë kriminale dhe vepra të tjera penale. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu nga autoritetet franceze sekuestrimin e pasurive të identifikuara në Francë dhe verifikimin e aktivitetit të tij të dyshuar kriminal gjatë periudhës së arratisë.

Sipas SPAK, ndër asetet e identifikuara janë një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, prona të tjera të paluajtshme, mjete motorike dhe një llogari bankare me rreth 2 milionë euro.

Ministria e Drejtësisë tha se do të vijojë ta ndjekë procedurën në bashkëpunim me autoritetet franceze deri në përfundimin e procesit të ekstradimit, ndërsa procedurat do të zhvillohen sipas legjislacionit francez dhe Konventës Evropiane për Ekstradimin.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.