Në pranverën e vitit 2026, fadromat dhe buldozerët hynë në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, duke rrethuar me tela me gjemba plazhet publike dhe duke rrafshuar dunat e rërës në Gadishullin e Zvërnecit. Pas këtyre ndërhyrjeve nuk qëndronte vetëm një projekt turistik, por një zinxhir vendimesh administrative të pazbardhura dhe një pasivitet i dyshimtë i institucioneve shtetërore.
Hapja e rrugëve të aksesit dhe ngritja e infrastrukturës së kantierit nga kompania zhvilluese “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. është objekt i një kallëzimi penal, të depozituar në Prokurorinë e Rrethit Vlorë, ndërsa një kopje i është përcjellë, për dijeni, edhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për vlerësimin e kompetencës penale.
Iniciativa ligjore e ndërmarrë nga Qendra “Res Publica”, e përfaqësuar nga Dorian Matlija, dhe Qendra “EcoAlbania”, e përfaqësuar nga Olsi Nika, kërkon vënien përpara përgjegjësisë penale jo vetëm të kompanisë private, por edhe verifikimin e plotë të përgjegjësisë së funksionarëve shtetërorë.
Kallëzimi ngre akuza për të paktën gjashtë shkelje të Kodit Penal dhe të ligjit për zonat e mbrojtura, ndërsa raportet teknike të shoqërisë civile ngrenë dyshime se veprimtaria fizike është kryer pa një leje ndërtimi të zbardhur dhe të verifikueshme publikisht, duke cenuar habitate prioritare dhe duke bllokuar aksesin publik në plazh dhe në monumente natyrore.
Përpjekjet e aktivistëve për të penguar punimet në Zvërnec shënuan edhe incidentin e parë më 30 maj, kur protestuesit u morën zvarrë nga rojet private të kompanisë. Prej asaj dite, protestat masive kundër resortit luksoz kanë hyrë në muajin e tyre të tretë.
Pyetjet shtohen rreth investitorëve që qëndrojnë pas këtij projekti, në një kohë kur vajza dhe dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë folur të dy publikisht në mbështetje të investimit.
Ndërkohë, dokumente gjyqësore nga një hetim i fundit për trafik narkotikësh zbulojnë një person të përfshirë në skandalin që ka tronditur qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.
Loja me lejet “fantazmë”

Pas projektit “Zvërnec Peninsula”, i cili synon shfrytëzimin e mbi 1,500 hektarëve bregdet, fshihet një strukturë komplekse financiare. Një seri hulumtimesh nga Shteg.org ekspozoi se shoqëria lokale “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., e regjistruar në gusht 2024, zotërohet nga një varg kompanish guaskë me seli në Amsterdam.
Pikërisht kësaj kompanie iu dha një leje zhvillimi për të ndërtuar resortin turistik në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë (Kategoria V), një zonë ku çdo ndërhyrje fizike i nënshtrohet një regjimi të rreptë juridik.
Përveç habitatit të ndjeshëm, zona që u rrethua për ndërtimin e projektit përfshinte brenda saj tre monumente natyrore të Kategorisë III, të mbrojtura me ligj: Kodrat Molasike të Zvërnecit, ligatinat e Lagunës Limopou dhe Dunat e Rërës të Stabilizuara të Nartës.
Sipas kallëzimit penal të depozituar nga dy organizatat, ndërhyrjet fizike të nisura në fund të prillit 2026 përfshinë gërmime, ngjeshje të materialit ranor, hapje rrugësh aksesi, prerje të pyllit të pishës dhe ndërhyrje në kanalet hidrologjike që lidhin lagunën me detin.
Kallëzimi i referohet gjetjeve të raportit teknik të biologut Olsi Nika, i cili dokumentoi një goditje të drejtpërdrejtë mbi ekosistemin e ndjeshëm gjatë muajve prill–qershor 2026, periudhë që përkon me sezonin e riprodhimit të breshkës detare Caretta caretta, specie e mbrojtur nga legjislacioni vendas dhe konventat ndërkombëtare.
“Punimet e prillit–qershorit 2026 kanë përkuar drejtpërdrejt me periudhën e ndjeshme pranverë–verë të riprodhimit të breshkës detare Caretta caretta, specie e mbrojtur, ndërsa gardhet e vendosura kanë kufizuar lëvizjen e faunës dhe aktiviteti i makinerive dhe i kamionëve ka rritur ndjeshëm shqetësimin dhe efektet kumulative mbi zonën”, vijon kallëzimi. Sipas tij, gardhet e vendosura kanë kufizuar lëvizjen e faunës, ndërsa aktiviteti i makinerive dhe i kamionëve ka rritur efektet kumulative mbi zonën.
Sipas analizës së juristëve, vepra penale mbi të cilën mbështetet kallëzimi është dëmtimi i habitateve në zonë të mbrojtur, i parashikuar nga neni 202/b i Kodit Penal.
Dokumenti argumenton se ndërhyrja me buldozerë, ngjeshja e dunave ranore, prerja e pyllit të pishës dhe cenimi i kanaleve lagunore përbëjnë një përkeqësim të rëndë dhe të pakthyeshëm të Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” (Kategoria V).
“Ndërhyrjet nuk kanë qenë të kufizuara në një kalim të rastësishëm, por kanë pasur karakter të përsëritur dhe funksional për përgatitjen e zonës për projektin”, thuhet në kallëzim, ku kërkohet një hetim nga organet ligjzbatuese për të identifikuar përgjegjësit e dëmeve të shkaktuara në zonë.
“Fakti se kush ka urdhëruar vendosjen e rrethimit, kush ka kryer fizikisht rrethimin, kush ka futur makineritë dhe kamionët në zonë, kush ka hapur rrugët dhe kush ka kryer ndërhyrjet mbi dunat, pyllin, plazhin publik dhe monumentet natyrore, përbën çështje që duhet të verifikohet nga organi i ndjekjes penale. Deri më sot nuk rezulton publikisht i disponueshëm një akt i zbardhur që të përcaktojë shprehimisht, në mënyrë të verifikueshme dhe me kufij të saktë gjeografikë, lejueshmërinë e këtyre veprimeve konkrete mbi habitatin dunor, plazhin publik dhe monumentet natyrore”, thuhet në kallëzimin penal.
Përgjegjësia e zyrtarëve

Sipas kallëzimit të Qendrës “Res Publica” dhe “EcoAlbania”, punimet përgatitore, rrafshimi i terrenit dhe rrugët e aksesit janë kryer mbi bazën e një akti administrativ (Vendimi nr. 05 i KKTU-së), që nuk ishte i zbardhur dhe i verifikueshëm.
“Mungesa e një lejeje të zbardhur, të identifikueshme dhe të verifikueshme publikisht e bën të pamundur kontrollin real të ligjshmërisë së punimeve, si nga publiku, ashtu edhe nga institucionet mbikëqyrëse”, argumentojnë juristët, sipas të cilëve neni 199/a i Kodit Penal ndëshkon ndërtimin ose punimin e kryer pa leje, duke parashikuar dënim më të rëndë kur veprimi kryhet në tokë publike ose shtetërore për qëllime fitimi.
“Në rastin konkret, hetimi duhet të verifikojë nëse veprimet e kryera në terren, hapja e rrugëve me buldozerë, rrafshimi dhe përgatitja e terrenit, ngritja e kantierit, vendosja e rrethimit dhe ndërtimi i strukturave mbi kanalet që lidhin lagunën me detin, përbëjnë ‘punime’ në kuptimin e nenit 199/a. Koncepti i punimit nuk mund të reduktohet vetëm te ngritja e godinave përfundimtare. Ai përfshin edhe ndërhyrje fizike përgatitore, infrastrukturore ose funksionale, kur ato ndryshojnë gjendjen e tokës dhe realizohen pa lejen përkatëse ose jashtë kufijve të saj”, argumentohet në kallëzimin penal.
Kallëzuesit theksojnë se kryerja e punimeve pa një akt të zbardhur, publikisht të njohur dhe të verifikueshëm përbën shkelje ligjore.
Më tej, organizatat argumentojnë se institucionet mbikëqyrëse kanë pasur dijeni të plotë për faktet, të dokumentuara nga media, raportet e organizatës EuroNatur (11 maj 2026) dhe protestat qytetare, por kanë mbetur pasive përballë dëmit mjedisor.
Pavarësisht detyrimit të tyre ligjor për të njoftuar organin e ndjekjes penale për veprat penale që ndiqen kryesisht, ato nuk kanë bërë kallëzim me shkrim dhe, sipas kallëzimit, kjo përbën vepër penale, të paktën atë të moskallëzimit të krimit.
Në dokument analizohen edhe deklaratat zyrtare kontradiktore mbi statusin e lejeve të projektit.
Ndërsa Kryeministri ka deklaruar publikisht se për projektin ekziston vetëm leje zhvillimi dhe jo leje ndërtimi, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka bërë me dije se leja e shqyrtuar në prill 2026 nuk është zbardhur.
Më 7 korrik 2026, IKMT konfirmoi publikisht se punimet po kryheshin mbi bazën e Vendimit të pazbardhur nr. 05 (datë 29.04.2026) të KKTU-së për “punime përgatitore”, por shtoi se “nuk mund të ndërhynte”, sepse i kishte kërkuar sqarime Agjencisë Shtetërore të Zhvillimit të Territorit (AZHT).
“Në vend që kjo pasiguri të çonte në ndërhyrje parandaluese, pezullim, këqyrje në vend ose kallëzim penal, IKMT ka deklaruar publikisht se nuk mund të ndërhynte për heqjen e rrethimit. Ky qëndrim… ngre dyshimin se institucioni ka legjitimuar vazhdimin e punimeve mbi bazën e një akti ende të paverifikuar plotësisht, në një zonë të mbrojtur dhe përballë indicieve publike për dëmtim habitati dhe bllokim të pronës publike”, thuhet në kallëzim, sipas të cilit zyrtarët kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” me pasivitetin e qëllimshëm apo mosveprimin, duke legjitimuar kështu vazhdimin e dëmit mjedisor në një zonë të mbrojtur.
“Funksionarët përgjegjës të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), si dhe të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) të Bashkisë Vlorë, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, nëse nga hetimi rezulton se kanë qenë në dijeni të fakteve, kanë pasur kompetencë për të ndërhyrë, për të kallëzuar ose për të parandaluar dëmin, por nuk kanë vepruar sipas detyrimeve ligjore”, vijon kallëzimi i dy organizatave.
Për këtë arsye, organizatat kërkojnë që prokuroria të verifikojë nëse ndërhyrjet në terren janë kryer në përputhje me autorizimet e dhëna dhe nëse janë respektuar kufizimet që zbatohen në zonat e mbrojtura.
“Kallëzimi kërkon regjistrimin e procedimit penal dhe identifikimin e të gjithë personave fizikë dhe juridikë që kanë urdhëruar, lejuar ose kryer punimet, si edhe të funksionarëve publikë që mund të kenë dështuar të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore”, thuhet në dokument.
Kallëzimi penal kërkon regjistrimin zyrtar të procedimit dhe nisjen e menjëhershme të hetimeve për dëmtim habitati, ndërtim të paligjshëm, pushtim dhe shpërdorim toke (nenet 202/b, 199/a, 200 dhe 199 të Kodit Penal).
Në kallëzim vërehet se funksionarët përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi penale nëse nga hetimi rezulton se kanë pasur kompetencë për të ndërhyrë apo për të parandaluar dëmin, por nuk kanë vepruar sipas detyrimeve ligjore.
Në përmbyllje të aktit ligjor, Qendra “Res Publica” dhe “EcoAlbania” i kanë kërkuar Prokurorisë së Vlorës sekuestrimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, bllokimin e mjeteve të rënda dhe kryerjen e këqyrjes fizike në terren me procesverbal, fotografi, video dhe matje topografike, përpara se gjurmët e ndërhyrjeve të zhduken.
Po ashtu, i kërkohet organit të akuzës administrimi zyrtar i të gjithë dokumentacionit administrativ nga KKTU, AZHT, IKMT, AKZM dhe Bashkia Vlorë, veçanërisht lidhur me Vendimin nr. 05, urdhërimi i një ekspertimi mjedisor, topografik dhe kadastral për përcaktimin e shkallës së dëmit dhe kostos së rehabilitimit, verifikimi i statusit juridik të sipërfaqeve publike të përfshira në rrethim, si dhe marrja në pyetje e përfaqësuesve të shoqërisë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., kontraktorëve, drejtuesve të mjeteve dhe funksionarëve publikë përgjegjës.
Projekti i planifikuar në Zvërnec është përmendur nga qeveria si një nga investimet më të mëdha të propozuara në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe ka qenë objekt debatesh publike, kundërshtimesh nga organizatat mjedisore dhe mosmarrëveshjesh të vazhdueshme mbi statusin e pronësisë së tokave në zonë.
Protestat nisën në fund të muajit maj, pasi në zonën e Zvërnecit u vendosën gardhe që kufizuan hyrjen e banorëve dhe turistëve në plazh. Tensionet u rritën pas publikimit të pamjeve ku roje private të sigurisë shfaqeshin duke dhunuar dhe tërhequr zvarrë një protestues. Pas incidentit, autoritetet revokuan licencat e dy kompanive të sigurisë private, arrestuan një roje sigurie dhe morën masa ndaj drejtuesve lokalë të policisë, ndërsa protesta u zhvendos në Tiranë, ku ajo që nisi si reagim për mbrojtjen e zonave të mbrojtura është shndërruar në një revolucion të pagëzuar me emrin e Flamingove.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimi do të vijojë pavarësisht hetimeve, ambientalistët vlerësojnë se shkalla e ndërhyrjes aktuale përbën “dëmin më të madh të regjistruar ndonjëherë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë”.
Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.























