“Reforma Territoriale 2.0”, projektligji me firmat e deputetëve socialistë, i depozituar katër ditë më parë në Kuvend, ka nxitur një valë protestash në të paktën nëntë qytete të vendit, ku banorë dhe përfaqësues vendorë kundërshtojnë shkrirjen e bashkive të tyre.
Qytetarë në Poliçan, Përrenjas, Rrogozhinë, Klos, Libohovë dhe bashki të tjera dolën në protesta, duke e cilësuar reformën një vendim të marrë pa konsultim me komunitetet lokale dhe një hap që mund të përshpejtojë shpopullimin e mëtejshëm të këtyre zonave.
Në Poliçan, vetëm pak orë pasi deputetët socialistë depozituan draftin në Kuvend, dhjetëra banorë u mblodhën në sheshin e qytetit për të kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Beratit.
Me argumentin se qyteti rrezikon të humbasë identitetin dhe përfaqësimin institucional, qytetarët e Poliçanit, i njohur tradicionalisht si një bastion i së majtës, dogjën teserat e Partisë Socialiste, ndërsa në sfond dëgjoheshin thirrjet “Mosmirënjohës”. Po atë ditë, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, e cilësoi vendimin e partisë si “një padrejtësi dhe një turp të madh” dhe dha dorëheqjen nga detyra, duke deklaruar se ndihej i tradhtuar nga forca politike që përfaqësonte.
Qytetarët e Përrenjasit protestuan për herë të parë në sheshin e qytetit gjashtë ditë përpara se projektligji të depozitohej në Kuvend, ndërsa nisën edhe një peticion për të kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Librazhdit. Banorët argumentojnë se vendimi do të ndikojë negativisht në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të rrisë distancën mes administratës dhe qytetarëve, ndërsa protestat në qytet vijojnë ende.
Kundërshtime u shfaqën edhe në Rrogozhinë. Fillimisht, ishin punonjësit e bashkisë që bojkotuan punën, ndërsa më pas dhjetëra qytetarë dolën në protestë kundër bashkimit me Kavajën. Ata u kërkuan institucioneve shtetërore të rishikojnë propozimin, duke argumentuar se bashkia ka potencial të funksionojë si njësi e pavarur dhe se reforma nuk merr parasysh specifikat ekonomike e sociale të zonës.
Këshilli Bashkiak i Klosit kërkoi zhvillimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme për të kundërshtuar ndryshimet e propozuara, ndërsa Këshilli Bashkiak i Libohovës miratoi unanimisht një vendim për t’u kërkuar autoriteteve rishqyrtimin e projektit.
Dy kryebashkiakë të tjerë socialistë, Juliana Memaj e Dimalit dhe Fatjon Duro i Patosit, kritikuan publikisht ndarjen e re territoriale, sipas së cilës bashkitë që drejtojnë nuk do të ekzistojnë më si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore.
Përfaqësuesit vendorë argumentojnë se ndryshimet e propozuara rrezikojnë të dobësojnë përfaqësimin lokal, ndërsa qytetarët i shohin ato si një hap që mund të përshpejtojë shpopullimin e mëtejshëm.
Protestat në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë bërë pjesë e thirrjeve edhe në tubimet e zhvilluara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e kthyer Reformën Territoriale 2.0 në një nga debatet më të forta politike dhe publike të javëve të fundit.
Projektligji ka hasur kundërshtime edhe nga opozita. Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, e cilësoi draftin “një thikë pas shpine ndaj qytetarëve dhe territorit të vendit”, duke deklaruar se ai është hartuar në mënyrë të njëanshme, pasi komisioni kishte përfunduar mandatin e tij dhe pa një raport të përbashkët apo debat mes palëve.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka kundërshtuar reformën, duke e cilësuar atë një vazhdim të procesit të shpopullimit të vendit.
Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Socialiste e mbrojnë projektligjin me argumentin se ai është hartuar pas një procesi dëgjesash në të 12 qarqet e vendit dhe konsultimesh me mbi 3.500 qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor, biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile.
Sipas draftit, përveç reduktimit të numrit të bashkive nga 61 në 46, reforma sjell edhe një riorganizim të strukturës së qeverisjes vendore. Modeli aktual “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”, duke krijuar një nivel të ndërmjetëm organizimi të quajtur “qytet”. Ky ka qenë edhe argumenti kryesor për mbrojtjen e projektligjit nga Partia Socialiste.
Në rast se reforma do të miratohet, 28 bashki do të konsolidohen për të krijuar 13 bashki të reja. Organizimi i ri parashikon 12 qarqe, 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet në përbërjen e tyre.
“Qyteti do të shërbejë si njësi funksionale e planifikimit, përfaqësimit dhe organizimit të shërbimeve”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit, të nënshkruar nga ministri Arbjan Mazniku.
Ndërsa bashkitë kanë 60 ditë afat për të shqyrtuar propozimin dhe për ta konsultuar atë me qytetarët, në raportin e përpiluar shkruhet se harta e re administrativo-territoriale duhet të miratohet brenda vitit 2026, në mënyrë që zgjedhjet vendore të vitit 2027 të zhvillohen mbi bazën e ndarjes së re administrative.
Kjo, për opozitën dhe kritikët, përbën një nga arsyet kryesore të kundërshtimit të ndryshimeve territoriale, me argumentin se ato nuk pasqyrojnë sfidat dhe nevojat reale të qytetarëve, por se, nëpërmjet kësaj reforme, Partia Socialiste synon të rikonfigurojë hartën administrative në funksion të maksimizimit të avantazhit elektoral të mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.






















