Një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro në rajonin francez të Oise, rreth 45 kilometra në veri të Parisit, llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente dhe mjete motorike janë pasuritë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) dyshon se i përkasin biznesmenit të teknologjisë së informacionit Ermal Beqiri dhe janë krijuar me të ardhura që burojnë nga aktiviteti kriminal.
Departamenti i Oise, pjesë e rajonit Hauts-de-France, njihet për trashëgiminë mbretërore, pyjet e mëdha dhe kështjellat historike, përfshirë rezidencat e famshme të Chantilly, Compiègne dhe Pierrefonds. I ndodhur rreth 45 kilometra në veri të Parisit, ai konsiderohet një nga zonat më prestigjioze të Francës për pronat historike dhe rezidencat aristokratike.
SPAK tha se u ka kërkuar autoriteteve gjyqësore franceze sekuestrimin e këtyre pasurive, ndërsa hetimet financiare po vijojnë për të identifikuar edhe asete të tjera.
“Për këto asete, si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas SPAK, Beqiri është nën hetim në procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025 për një sërë akuzash, mes tyre pastrim parash, korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë, shkelje të barazisë në tenderët publikë, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Më 15 dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Beqirit dhe biznesmenit Ergys Agasi masën e sigurisë “arrest në burg”. Nëntë ditë më vonë, SPAK kërkoi shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar përmes Interpolit dhe të dy u përfshinë në sistemin “Red Notice”.
Sipas Prokurorisë, më 19 qershor 2026 prokurorët shqiptarë kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Ambasadën Franceze në Tiranë, pasi kishin informacion se Beqiri ndodhej në Francë.
“Prokurorët e Posaçëm të SPAK kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen e shtetasit E.B., në kushtet kur nga informacioni i disponuar dyshohej se ky shtetas ndodhej në territorin e Republikës Franceze”, sqaron prokuroria.
SPAK tha se, pas kësaj kërkese, SSI vuri menjëherë në lëvizje Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) të Francës, ndërsa u krijua një grup i përbashkët pune me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO).
Hetimet e autoriteteve franceze konfirmuan praninë e Beqirit në Francë dhe çuan në identifikimin e pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Brigada Kombëtare e Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF) identifikoi automjetet që ai përdorte, ndërsa Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF) nisi hetimet financiare për asetet e zbuluara dhe procedurat për sekuestrimin e tyre.
Sipas SPAK, që prej 19 qershorit, shkëmbimi i informacionit mes prokurorëve shqiptarë, policisë gjyqësore franceze dhe magjistratit ndërlidhës francez ka qenë i përditshëm, duke mundësuar koordinimin e operacionit.
Beqiri u arrestua më 24 korrik nga autoritetet franceze, pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t, në Normandi. Avioni u shoqërua nga forcat ajrore franceze dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albertit, në departamentin Somme, ku ai u vu në pranga.
Megjithëse arrestimi ndodhi pas incidentit ajror, SPAK tha se operacioni ishte rezultat i bashkëpunimit të nisur një muaj më parë mes autoriteteve shqiptare dhe franceze për lokalizimin e tij.
Gjykata franceze ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Beqirit për qëllime ekstradimi, ndërsa SPAK konfirmoi se kërkesa për ekstradimin e tij i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për t’ia transmetuar autoriteteve franceze.
Sipas Prokurorisë, Beqiri konsiderohet një nga figurat kyçe të dosjes së AKSHI-t, ku dyshohet se, përmes kompanisë “Soft & Solution”, organizoi një skemë të manipulimit të tenderëve publikë me vlerë dhjetëra milionë euro, duke përdorur kompani të lidhura, marrëveshje të fshehta dhe presion ndaj operatorëve ekonomikë për të eliminuar konkurrencën.
Vetëm në vitin 2024, kompania “Soft & Solution” raportoi fitime të pashpërndara mbi 1 miliard lekë, ose rreth 10 milionë euro, ndërsa asetet e saj arritën në rreth 2 miliardë lekë.
Hetimi i SPAK përfshin 19 procedura prokurimi me një fond limit prej rreth 5.9 miliardë lekësh (59 milionë euro). Sipas akuzës, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, favorizuan grupin kriminal duke paracaktuar fituesit e tenderëve dhe duke mundësuar transferimin e fondeve publike drejt kompanive të lidhura me Beqirin dhe Agasin, i cili mbetet ende në kërkim ndërkombëtar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























