Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur akuza të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke zgjeruar hetimin penal që lidhet me procedura prokurimi dhe dyshime për shkelje në administrimin e fondeve publike.
Balluku u thirr të premten në ambientet e SPAK-ut për t’u njohur me akuzat e reja që lidhen me disa procedura prokurimi, si dhe për t’u pyetur nga prokurorët në lidhje me këto rrethana. Ish-zëvendëskryeministrja, e cila është tashmë nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, mbërriti në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 13:50 dhe qëndroi aty për rreth gjysmë ore.
SPAK nuk bëri publike detaje mbi procedurat konkrete të prokurimit që janë pjesë e akuzave të reja, duke argumentuar se hetimi është ende në zhvillim.
Çështja ndaj Ballukut është zgjeruar ndjeshëm nga akuza fillestare për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, duke përfshirë procedura të tjera prokurimi, mes tyre investime në Unazën e Madhe të Tiranës, si dhe kontrata të tjera publike që janë nën shqyrtim nga hetuesit.
Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, e ka cilësuar dosjen ndaj Ballukut si një nga hetimet me prioritetin më të lartë të institucionit. Ai tha se në këtë çështje janë angazhuar dy prokurorë dhe nëntë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa kontrollet e zhvilluara së fundmi në banesa, zyra dhe ambiente të tjera janë pjesë e vijimit të hetimeve.
“Kjo është një çështje nën hetim dhe nuk mund të jap informacion. Është çështja me prioritetin më të lartë për SPAK-un”, tha Braho, duke shtuar se dosja përmban një numër të konsiderueshëm veprimesh hetimore të kryera dhe ende në proces.
Agjentë të BKH-së kanë zbatuar urdhra kontrolli të firmosur nga gjyqtari i hetimeve paraprake, në kërkim të provave të reja që, sipas hetuesve, mund të lidhen me dyshimet e ngritura gjatë procedurës penale.
Hetimi ndaj Ballukut përfshin dyshime për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv të zyrtarëve publikë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka sekuestruar preventivisht një vilë dykatëshe në resortin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, me vlerë kontraktuale rreth 145 mijë euro. Prokuroria dyshon se kjo pasuri mund të jetë siguruar përmes përfitimeve të parregullta të lidhura me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, institucion që drejtohej nga Balluku gjatë periudhës objekt hetimi.
Hetuesit kanë shqyrtuar, ndër të tjera, tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit rreth 88.6 milionë lekë, si dhe një shtesë kontrate prej mbi 14 milionë lekësh pa TVSH.
SPAK ka deklaruar se gjatë hetimit janë administruar materiale dixhitale, analiza komunikimesh telefonike, të dhëna të siguruara përmes metodave speciale të hetimit dhe dëshmi personash të lidhur me administrimin ose përdorimin e pasurisë së sekuestruar.
Balluku ishte marrë zyrtarisht e pandehur më 31 tetor 2025 për shkelje të barazisë në tendera lidhur me procedurën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë në aksin Orikum–Himarë. Më pas, hetimi është zgjeruar edhe me shtatë procedura prokurimi të lidhura me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Po ashtu, SPAK ka përfshirë në hetim edhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë–Kashar, me vlerë të parashikuar rreth 245 milionë euro.
Në dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut për t’i hapur rrugë vendosjes së një mase arresti ndaj saj, por kërkesa u rrëzua nga shumica socialiste në Kuvend.
Kreu i SPAK-ut tha se vendimi i Parlamentit nuk ka ndalur hetimet dhe se ato kanë vijuar me intensitet. Ai nuk përjashtoi mundësinë e një kërkese të re për masë sigurie, nëse gjatë hetimit do të dalin prova ose rrethana të reja.
Balluku ka mohuar akuzat dhe ka kundërshtuar masat e marra ndaj saj. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi pezullimin e saj nga ushtrimi i funksioneve, ndërsa ndaj saj vijon edhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Ndërkohë, gjatë paraqitjes së saj në SPAK, dhjetëra të rinj dhe aktivistë u mblodhën para godinës së Prokurorisë së Posaçme me pankarta dhe flamingo në duar, në shenjë proteste ndaj ish-zëvendëskryeministres. Policia ndërhyri duke i zhvendosur protestuesit nga trotuari pranë oborrit të SPAK-ut dhe ata qëndruan për disa orë nën monitorimin e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























