Shkencëtarët bëjnë thirrje për mbrojtjen e Deltës së Vjosës

Përmes një peticioni drejtuar qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare, studiuesit kërkojnë zgjerimin e Parkut Kombëtar të Vjosës, duke paralajmëruar se zhvillimet e planifikuara mund të dëmtojnë një nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut.

184
Shkencëtarët në deltën e Vjosës
Credits: Joshua D Lim - Shkencëtarët në deltën e Vjosës

Më shumë se 500 shkencëtarë nga e gjithë bota i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të heqë dorë nga planet për zhvillime turistike në Deltën e Vjosës, duke paralajmëruar se projektet mund të rrezikojnë një prej ekosistemeve më të pasura dhe më të mbrojtura të Mesdheut.

Në një peticion të nënshkruar nga 534 studiues nga 32 vende, kërkohet që Delta e Vjosës të përfshihet në Parkun Kombëtar të lumit Vjosa dhe të mos lejohet ndërtimi i projekteve turistike në shkallë të gjerë, të cilat, sipas tyre, bien në kundërshtim me statusin e mbrojtur të zonës.

“Delta e Vjosës me Lagunën e Nartës nuk ka të ngjashme në të gjithë pellgun e Mesdheut. Projektet aktuale të zhvillimit të turizmit luksoz në shkallë të gjerë do të shkaktonin dëme të pakthyeshme në këtë ekosistem unik dhe janë të papranueshme”, thuhet në peticionin e drejtuar kryeministrit Edi Rama, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Sekretariatit të Konventës së Bernës dhe programit “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s.

Nisma është udhëhequr nga profesori Friedrich Schiemer i Universitetit të Vjenës dhe profesori Aleko Miho i Universitetit të Tiranës. Sipas peticionit, ndonëse Shqipëria shpalli në vitin 2023 Parkun Kombëtar të lumit Vjosa, delta dhe Laguna e Nartës mbetën jashtë kufijve të tij, pavarësisht rëndësisë së tyre ekologjike.

Shkencëtarët thonë se zona strehon më shumë se 2,300 specie të dokumentuara, përfshirë mbi 200 lloje shpendësh, dhe përfaqëson një nga habitatet më të rëndësishme për biodiversitetin në rajonin e Mesdheut.

Drejtori ekzekutiv i organizatës mjedisore EcoAlbania, Olsi Nika, tha se mbështetja e gjerë e komunitetit shkencor ndërkombëtar duhet të shërbejë si një sinjal për institucionet shqiptare.

“Vendimet për të ardhmen e trashëgimisë sonë natyrore nuk mund të udhëhiqen nga interesa afatshkurtra apo axhenda politike të momentit, por duhet të mbështeten në prova shkencore, në ligj dhe në interesin publik afatgjatë”, tha Nika.

Ai shtoi se “çdo vendim që shpërfill shkencën rrezikon të shkaktojë humbje të pakthyeshme për një pasuri natyrore që i përket jo vetëm Shqipërisë, por edhe Evropës dhe brezave që do të vijnë”.

Përveç ndalimit të projekteve turistike, nënshkruesit kërkojnë zgjerimin e Parkut Kombëtar deri në grykëderdhjen e Vjosës dhe hartimin e një modeli zhvillimi të bazuar në ekoturizëm, duke argumentuar se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin paralelisht, nëse planifikohen mbi baza shkencore.

Debati mbi të ardhmen e Deltës së Vjosës është intensifikuar muajt e fundit për shkak të planeve për një resort turistik luksoz në zonën e Zvërnecit, të cilat kanë nxitur protesta nga organizatat mjedisore dhe banorët e zonës. Kundërshtarët e projektit argumentojnë se zhvillimi cenon një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike, ndërsa qeveria ka mbrojtur politikat e saj për investimet strategjike, duke deklaruar se ato do të zbatohen në përputhje me legjislacionin dhe standardet mjedisore.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.