Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar sekuestrimin e të gjitha pasurive të biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar në Francë pas një incidenti ajror që çoi në verifikimin e identitetit të tij, deklaroi të mërkurën kreu i SPAK-ut, Klodian Braho.
Sipas tij, SPAK-u kishte lokalizuar më herët Beqirajn dhe kishte dërguar letërporosi në Francë për kryerjen e veprimeve hetimore.
“Ne kishim kërkuar më herët nga autoritetet franceze sekuestrimin e pasurive të Ermal Beqirajt. Nuk bëhet fjalë vetëm për avionët, pasi ai ka edhe pasuri të tjera atje”, tha Braho, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Braho tha se procedurat janë ende në zhvillim dhe se detaje të tjera do të bëhen publike në një njoftim zyrtar.
“Ne kishim informacion, e kishim lokalizuar dhe kishim nisur letërporosinë drejt Francës për disa veprime hetimore, për të cilat shumë shpejt do të ketë edhe njoftim zyrtar”, shtoi ai.
Autoritetet franceze arrestuan Beqirajn pasi avioni i vogël civil që ai pilotonte hyri në hapësirën ajrore të mbrojtur mbi centralin bërthamor Penly, në veri të Francës. Pas uljes së detyruar dhe verifikimit të identitetit, autoritetet konstatuan se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të SPAK-ut.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u realizua në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, në funksion të ekzekutimit të masës së sigurisë “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Beqiraj është nën hetim në Shqipëri në kuadër të dosjes për tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). SPAK-u e akuzon atë për disa vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tenderët publikë, konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Çështja mbetet në proces hetimi dhe akuzat nuk përbëjnë provë faji deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Ndërkohë, deklaratat e kreut të SPAK-ut për kërkesën e re për sekuestrimin e pasurive në Francë vijnë pasi, në kuadër të të njëjtit hetim, Gjykata e Posaçme ka vendosur më herët sekuestrimin e një sërë pasurish që dyshohet se lidhen me Ermal Beqirajn dhe persona të tjerë nën hetim.
Sipas SPAK-ut, ndaj Beqirajt janë sekuestruar një truall në resortin Green Coast në Vlorë, një truall në rrugën “Hoxha Tasim” në Tiranë, ndërtesa dhe truall, një vilë me truall në kompleksin Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti “Skyfall”, dy shoqëri tregtare, një njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”, automjete dhe motomjete, si edhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe të subjekteve që lidhen me të.
Me vendim gjykate janë sekuestruar gjithashtu edhe fonde të konsiderueshme në llogari të shoqërive të lidhura me persona të tjerë nën hetim në të njëjtën çështje, përfshirë G.H., A.P. dhe E.J.
SPAK-u ka bërë të ditur se, në përfundim të operacionit për sekuestrimin e pasurive që dyshohet se u përkasin drejtuesve kryesorë të përfshirë në hetimin për AKSHI-n, vlera e përafërt e aseteve të bllokuara llogaritet në mbi 40 milionë euro.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.



























