Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), së bashku me 10 organizata ndërkombëtare dhe rajonale, dënuan të enjten atë që e cilësuan si përshkallëzim të represionit ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile në Shqipëri, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj autoriteteve shqiptare.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat shprehën shqetësim, sipas tyre, për përkeqësimin e lirisë së medias, hapësirës qytetare dhe debatit demokratik gjatë mobilizimit qytetar të njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
Sipas deklaratës, gjatë dy muajve të fundit, gazetarët janë përballur me pengesa, sulme dhe ndërhyrje nga policia gjatë raportimit të protestave. Organizatat ngritën shqetësime edhe për përdorimin e topave me ujë dhe gazit lotsjellës, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e masave dhe mbrojtjen e gazetarëve në terren.
Deklarata thekson gjithashtu se procedurat penale të lidhura me protestat kanë ngritur pikëpyetje për transparencën dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor. Sipas organizatave, gazetarë, aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile janë identifikuar publikisht dhe janë etiketuar si të financuar ose të kontrolluar politikisht, gjë që, sipas tyre, nxit frikësimin dhe kufizon pjesëmarrjen në debatin publik.
Rrjeti SafeJournalists citohet në deklaratë dhe ka regjistruar 27 raste kërcënimesh dhe sulmesh ndaj gazetarëve në Shqipëri gjatë vitit 2026, nga të cilat 15 vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik.
Organizatat kërkuan që autoritetet shqiptare të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, të sigurojnë që policimi i tubimeve të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të hetojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente të gjitha rastet e raportuara të dhunës, kërcënimeve ose pengimit të punës së gazetarëve.
Ato u bënë gjithashtu thirrje autoriteteve të shmangin etiketimin publik dhe ngritjen e akuzave të pabaza ndaj gazetarëve, mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në deklaratë, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe misionet diplomatike në Tiranë u ftuan të ngrenë publikisht këto shqetësime me autoritetet shqiptare, të monitorojnë ndikimin mbi lirinë e medias dhe të pasqyrojnë zhvillimet në vlerësimet për sundimin e ligjit dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE duhet të matet nga fakti nëse gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët mund të marrin pjesë në debatin demokratik pa frikën e dhunës, kërcënimit apo hakmarrjes”, thuhet në deklaratë.
Organizatat deklaruan se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet dhe të mbështesin gazetarët dhe aktorët e shoqërisë civile që përballen me kërcënime ose ndërhyrje.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























