Pasuritë e dyshuara nga trafiku i drogës, konfiskohen asete me vlerë qindra mijëra euro

Vendimi i GJKKO-së prek pasuri të Eridan Munoz Guerrero, Deljana Nebiut dhe personave të tjerë të hetuar për lidhje me një organizatë kriminale ndërkombëtare.

247
Policë belgë inspektojnë thasë me kokainë gjatë një sekuestrimi të madh të drogës në vitin 2022
Credits: Francois Walschaerts/AFP - Policë belgë inspektojnë thasë me kokainë gjatë një sekuestrimi të madh të drogës në vitin 2022

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur konfiskimin e pasurive me vlerë të paktën 586 mijë euro, të lidhura me persona të hetuar për dyshime mbi përfshirje në një organizatë kriminale të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Vendimi i GJKKO-së erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila kërkoi konfiskimin e aseteve të regjistruara në emër të Eridan Munoz Guerrero (i njohur edhe si Eridan Nebiu), Deljana Nebiut, Sokol Çamerit, Julian Veliut dhe personave të tjerë të lidhur me procedimin.

Sipas vendimit gjyqësor, pasuritë e konfiskuara do të kalojnë në favor të shtetit dhe përfshijnë apartamente, njësi shërbimi, banesa, troje, automjete, një rimorkio dhe llogari bankare.

Vlera e dokumentuar e pasurive të konfiskuara, e konvertuar në euro mbi bazën e vlerave të përcaktuara në dokumentacionin gjyqësor, arrin në të paktën 586 mijë euro. Kjo shifër nuk përfshin disa pasuri për të cilat vendimi nuk përcakton një vlerë të plotë financiare, përfshirë disa automjete dhe asete të tjera.

SPAK-u e kishte depozituar kërkesën për konfiskim më 8 janar 2025, në bazë të ligjit antimafia për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit përmes masave parandaluese kundër pasurisë.

Sipas dosjes së gjykimit, pjesë e pasurive të konfiskuara janë disa apartamente në Vlorë, njësi shërbimi, pasuri të paluajtshme të përfituara përmes shitblerjeve ose dhurimeve, si dhe llogari bankare të sekuestruara më herët në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor me autoritetet belge.

Ndër asetet e konfiskuara janë apartamente me vlera të regjistruara blerjeje nga 15 mijë deri në 30 mijë euro, si dhe një apartament me vlerë të deklaruar blerjeje prej 135 mijë eurosh.

Gjithashtu, gjykata ka konfiskuar njësi shërbimi dhe pasuri të tjera tregtare, përfshirë një njësi me vlerë të deklaruar prej 56.560 eurosh, si dhe troje dhe banesa të regjistruara në emër të personave të përfshirë në procedim.

Në listën e pasurive të kaluara në favor të shtetit janë përfshirë edhe llogari bankare me mijëra euro dhe miliona lekë, të cilat ishin sekuestruar më parë përmes procedurave të bashkëpunimit ndërkombëtar me Belgjikën.

Procedimi pasuror në Shqipëri lidhet me një hetim penal të zhvilluar në Belgjikë ndaj një rrjeti të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Hetimi belg u zgjerua pas zbërthimit të komunikimeve të koduara në platformat Sky ECC dhe EncroChat, të cilat u përdorën nga grupe kriminale për komunikime të enkriptuara.

Sipas autoriteteve belge, Eridan Munoz Guerrero konsiderohej një nga personat me rol drejtues në organizatën e dyshuar. Në tetor 2024, ai u dënua në Belgjikë me 14 vite burg në kuadër të një procesi penal ndaj më shumë se 100 personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe organizatë kriminale.

Në të njëjtin proces, prokuroria belge ka ngritur akuza edhe ndaj Deljana Nebiut, duke pretenduar se ajo kishte dijeni për aktivitetin e organizatës dhe kishte bashkëpunuar me të. Këto akuza mbeten pjesë e procedurave gjyqësore në Belgjikë.

GJKKO pranoi vetëm pjesërisht kërkesën e SPAK-ut, duke vendosur konfiskimin e disa prej pasurive të kërkuara, ndërsa për disa asete të tjera hoqi masën e sekuestros.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.