Meta sulmon SPAK-un, Kryemadhi mohon akuzat për ndikim të paligjshëm

Ish-presidenti akuzoi SPAK-un për manipulim provash dhe proces të motivuar politikisht, ndërsa Monika Kryemadhi kundërshtoi interpretimin e komunikimeve të sekuestruara, duke kërkuar administrimin e plotë të mesazheve dhe thirrjen e një sërë dëshmitarësh, mes tyre edhe kryeministrit Edi Rama.

247
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta
Credits: LSA - Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, hodhën poshtë të mërkurën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke pretenduar se çështja ndaj tyre mbështetet në interpretime të gabuara të provave, ndërsa Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shtyu procesin për në 10 shtator.

Meta dhe Kryemadhi po gjykohen për akuza që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Sipas SPAK-ut, ata kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për të favorizuar biznesmenin Adrian Shatku në procedurat për një marrëveshje interkonjeksioni të fibrave optike, ndërsa Meta akuzohet gjithashtu edhe për çështje që lidhen me aferën CEZ-DIA, kontratën e lobimit të ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara dhe deklarimin e pasurisë. Të dy i kanë mohuar akuzat.

Në seancën e së mërkurës, Kryemadhi paraqiti kundërshtimet e saj ndaj provave të administruara nga SPAK-u, të bazuara kryesisht në mesazhe telefonike dhe email-e të sekuestruara nga telefoni i Fatime Kryemadhit. Ajo argumentoi se komunikimet janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe se, të lexuara në tërësi dhe në rend kronologjik, rrëzojnë pretendimet e prokurorisë për ndikim të paligjshëm.

“Akuza është ndërtuar mbi interpretime dhe deduksione të ngritura mbi mesazhe të sekuestruara në mënyrë të paligjshme”, tha Kryemadhi, duke këmbëngulur që gjykata të administrojë të gjitha komunikimet dhe jo vetëm fragmentet e përzgjedhura nga prokuroria.

Sipas SPAK-ut, komunikimet tregojnë se Kryemadhi dhe Meta kanë ndikuar tek ish-kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Pirro Xhixho, për të favorizuar Shatkun, një i afërm i Kryemadhit. Prokuroria pretendon gjithashtu se ajo përcillte tek biznesmeni informacione që merrte si deputete dhe anëtare e komisioneve parlamentare.

Kryemadhi e mohoi këtë interpretim, duke deklaruar se komunikimet pasqyronin vetëm ndjekjen e procedurave administrative dhe debatet institucionale mbi liberalizimin e tregut të fibrave optike.

“Orientimi i një subjekti për t’iu drejtuar një institucioni kompetent nuk është ushtrim ndikimi. Nuk i kam kërkuar ministrit të Transportit të marrë vendim në favor të Adrian Shatkut; përkundrazi, i kam thënë të ndjekë rrugën zyrtare. Nuk provohet marrëveshje korruptive apo ndikim i paligjshëm”, tha ajo.

Ajo pranoi se kishte sugjeruar Shatkun për të ndjekur procedurat zyrtare, por mohoi të kishte ushtruar presion ndaj zyrtarëve.

“E kam sugjeruar jo për të ushtruar ndikim politik. Ma gjeni një mesazh që t’i kem thënë Haxhinastos ‘bëje se të vrava’ apo ‘bëje për përfitim’. Nuk provohet asnjë ndërhyrje nga ana ime”, deklaroi Kryemadhi.

Ish-deputetja hodhi poshtë edhe pretendimin e SPAK-ut se Shatku kishte financuar shkollimin e vajzës së saj.

“Nuk është e vërtetë që Shatku ka paguar shkollën e vajzës. Këto biseda nuk lidhen as me Haxhinaston, as me AKEP-in, as me ndikime të paligjshme”, tha ajo.

Kryemadhi akuzoi prokurorinë për përzgjedhje selektive të provave, duke pretenduar se në dosje mungojnë komunikime të saj me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, të cilat, sipas saj, do të tregonin se çështja trajtohej në mënyrë institucionale.

Ajo kërkoi që gjykata të thërrasë si dëshmitarë Adrian Shatkun, kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Transportit Edmond Haxhinasto, ish-kreun e AKEP-it Pirro Xhixho, ish-ministren Milena Harito dhe disa zyrtarë të tjerë, duke argumentuar se dëshmitë e tyre do të sqaronin natyrën e komunikimeve.

Edhe mbrojtja e Metës kërkoi administrimin e këtyre provave, duke argumentuar se ato mbështesin pafajësinë e ish-presidentit. Avokati i tij kundërshtoi gjithashtu ligjshmërinë e sekuestrimit dhe kontrollit të telefonit të Kryemadhit, si dhe kërkoi verifikimin e analizës financiare të përdorur nga SPAK-u.

Në deklarimet e tij para gjykatës, Meta akuzoi SPAK-un për manipulim të provave dhe e cilësoi procesin të motivuar politikisht.

“Prokuroria në mënyrë recidiviste mashtron”, tha ai, duke shtuar se mbrojtja ka kërkuar thirrjen e disa dëshmitarëve, përfshirë kryeministrin Rama.

Meta pretendoi se arrestimi i tij në tetor 2024 ishte bazuar në “një letërporosi të falsifikuar” dhe e quajti ndalimin e tij “rrëmbim” të organizuar për motive politike. Ai përmendi gjithashtu ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, duke pretenduar se ai kishte rol në hetimet ndaj tij.

Ish-presidenti kundërshtoi edhe administrimin e telefonave celularë të sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij, duke pretenduar se një telefon personal ishte identifikuar gabimisht si telefon i Kryemadhit.

“Këto janë veprime të qëllimshme kundër Ilir Metës”, deklaroi ai.

Duke iu referuar çështjes së fibrave optike, Meta mohoi të kishte dijeni për veprimet e Shatkut dhe tha se kishte qenë gjithmonë kundër monopoleve.

“Ai ka kërkuar heqjen e monopolit dhe hapjen e tregut. Po ta dija, do të inicioja ndryshime ligjore në Parlament. Nuk kam pasur asnjë lloj interesi personal për këtë çështje”, tha Meta.

Gjatë seancës, Meta kërkoi sërish të qëndronte jashtë kafazit të xhamit në sallën e gjyqit, por kërkesa u rrëzua nga trupi gjykues me argumentin se për këtë çështje ishte marrë më parë një vendim.

Pas përfundimit të seancës, Kryemadhi u tha gazetarëve se kontrolli i ushtruar nga SPAK-u në banesën e nënës së saj kishte “objektiv politik” dhe përsëriti se procedura për projektin e fibrave optike ishte zvarritur për vite nga institucionet.

Gjykata vendosi të shtyjë shqyrtimin e çështjes për më 10 shtator, në orën 11:00.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.