Gen Z dhe Millennials mund të duken si dy breza shumë të afërt, por kur vjen puna te pushimet, zgjedhjet e tyre po marrin drejtime të ndryshme. Një analizë e re e Adventure360, e cituar nga Euronews, ka shqyrtuar më shumë se 4,700 rezervime të bëra gjatë vitit të fundit dhe ka zbuluar një ndarje të qartë mes dy grupeve.
Për Gen Z, Tajlanda është destinacioni më i preferuar. Vendi shfaqet në 29.2% të rezervimeve të këtij brezi, rezultati më i lartë i regjistruar në të gjithë analizën. Pas saj renditen Australia, Indonezia, Vietnami, Kamboxhia dhe Laosi.
Ndër Millennials, Australia kryeson me 17.8% të rezervimeve, ndërsa Tajlanda vjen e dyta me 17.4%. Në këtë grup, Japonia, Greqia dhe Islanda shfaqen në dhjetëshen e destinacioneve më të preferuara, ndërsa nuk figurojnë në listën e Gen Z.
Çfarë i ndan dy brezat?
Për Gen Z, çmimi dhe ndikimi i rrjeteve sociale duket se luajnë një rol të rëndësishëm. Destinacione si Kamboxhia dhe Laosi po fitojnë terren jo vetëm për shkak të kostove më të ulëta, por edhe sepse pamjet e tyre po qarkullojnë masivisht në TikTok dhe platforma të tjera sociale.
Ndërkohë, Millennials po orientohen më shumë drejt destinacioneve ku kombinohen kultura, gastronomia, natyra dhe një eksperiencë më e kuruar. Australia, Japonia dhe Greqia janë disa nga zgjedhjet që karakterizojnë këtë grup.
Por ndryshimi mes brezave nuk do të thotë se njëri kërkon vetëm aventurë dhe tjetri vetëm luks. Një tjetër raport i vitit 2026 nga Tripadvisor tregon se udhëtarët në përgjithësi po kërkojnë gjithnjë e më shumë eksperienca që i lidhin me kulturën lokale. Rezervimet për aktivitete artizanale, për shembull, u rritën me 88% në gjysmën e parë të vitit.
Edhe American Express Travel raporton se 79% e Gen Z dhe Millennials të anketuar thonë se në vitin 2026 kanë gjasa të kërkojnë aktivitete apo workshop-e lokale gjatë udhëtimeve. Pra, pushimet nuk po maten më vetëm me hotelin, plazhin apo numrin e atraksioneve të vizituara, por me atë se sa autentike është eksperienca.
Kjo po ndryshon edhe mënyrën se si industria turistike shet një destinacion. Hotelet, restorantet dhe operatorët turistikë po përpiqen të ofrojnë më shumë eksperienca lokale, itinerare të personalizuara dhe vende larg rrugëve tradicionale turistike.
Në vitin 2026, destinacioni mbetet i rëndësishëm, por mënyra se si udhëtari dëshiron ta përjetojë atë po bëhet po aq vendimtare.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto