Sa më shumë ta sfidojmë trurin, aq më shumë e ndihmojmë atë të qëndrojë aktiv. Dhe duke qenë se një pjesë të konsiderueshme të jetës e kalojmë në punë, profesioni ynë mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Sipas neuroshkencëtarit Tommy Wood, profesor në University of Washington dhe autor i librit The Stimulated Mind, nuk ka domosdoshmërisht një profesion “ideal” për trurin.
Më e rëndësishme është çfarë na kërkon puna të bëjmë çdo ditë. “Sa më komplekse dhe kërkuese të jetë puna nga ana mendore, aq më i ulët është rreziku i demencës”, shpjegon Wood. Sipas tij, punët që ndihmojnë në stimulimin e trurit kanë zakonisht të paktën një nga tri karakteristika kryesore.
1. Të detyrojnë të orientohesh dhe të përdorësh kujtesën
Një shembull interesant janë shoferët e taksive dhe ambulancave. Një studim i Harvard Medical School zbuloi se këto profesione kishin ndër nivelet më të ulëta të vdekjeve nga Alzheimer krahasuar me më shumë se 400 profesione të analizuara. Një shpjegim i mundshëm lidhet me nevojën e vazhdueshme për të orientuar veten në hapësirë dhe për të mbajtur mend rrugët. Kur përpiqemi të gjejmë një rrugë nga kujtesa, aktivizojmë hipokampusin, pjesën e trurit që luan një rol të rëndësishëm në kujtesë dhe të mësuar. Shembulli klasik janë shoferët e taksive të zeza në Londër. Për të marrë licencën, ata duhet të njohin më shumë se 25 mijë rrugë. Studimet kanë treguar se hipokampusi i tyre është më i madh krahasuar me njerëzit që nuk ushtrojnë këtë profesion. Por këtu teknologjia sjell një paradoks interesant: nëse për çdo destinacion mbështetemi te GPS-i, truri nuk ka më të njëjtën sfidë.
Lexo edhe: Si frymëzoi Dolly Parton gratë në lidership: “Të gjitha i detyrohemi asaj për diçka”
2. Të kërkojnë kreativitet
Muzika, kërcimi, arti dhe madje edhe video-lojërat kërkojnë që truri të përpunojë njëkohësisht informacione të ndryshme. Sipas Wood, njerëzit që ushtrojnë aktivitete kreative kanë tendencë të tregojnë shenja të plakjes më të ngadaltë të trurit. Rrjetet e trurit që lidhen me fokusin, vëmendjen dhe përpunimin kompleks mund të funksionojnë në mënyrë më efikase. Dhe kreativiteti nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh artist.
Zgjidhja e problemeve, mësimi i aftësive të reja, krijimi i ideve dhe bashkëpunimi me njerëz të ndryshëm janë gjithashtu mënyra për ta detyruar trurin të dalë nga rutina.
3. Të mos bësh çdo ditë të njëjtën gjë
Karakteristika e tretë është ajo që Wood e quan “job latitude”: sa shumë ndryshojnë detyrat dhe përgjegjësitë tona nga një ditë në tjetrën. Një ditë mund të kesh takime, ditën tjetër të analizosh të dhëna dhe më pas të bësh një prezantim apo të zgjidhësh një problem të ri. Pyetja e thjeshtë është: A po bëj gjëra të ndryshme gjatë javës sime të punës? Studimet e lidhin punën komplekse me kujtesë më të fortë dhe rrezik më të ulët të demencës. Megjithatë, ka një kusht të rëndësishëm: sfida mendore duhet të shoqërohet me një nivel të arsyeshëm autonomie. Nëse puna është shumë kërkuese, por punonjësi nuk ka kontroll mbi ritmin, orarin apo ngarkesën e tij, përfitimet potenciale mund të reduktohen.
Pra, sfida është e mirë për trurin; mbingarkesa e vazhdueshme jo domosdoshmërisht.
Po nëse puna juaj është rutinë?
Lajmi i mirë është se nuk duhet të ndryshoni profesion për të sfiduar trurin. “Faktori kryesor që përcakton mënyrën se si funksionon truri është mënyra se si e përdorni atë”, thotë Wood. Edhe një punë relativisht e përsëritur mund të balancohet me më shumë ndërveprim social. Bisedat me kolegët dhe marrëdhëniet sociale cilësore mund të ndihmojnë aftësitë njohëse dhe të reduktojnë stresin. Jashtë punës, mund të bëjmë diçka edhe më të thjeshtë: të mësojmë vazhdimisht diçka të re. Një gjuhë e huaj, një sport i ri, një hobi, vullnetarizmi, leximi, leksionet apo fjalëkryqet janë disa nga aktivitetet që Wood rekomandon për ta mbajtur trurin të stimuluar edhe nëse puna jonë e përditshme nuk e bën këtë mjaftueshëm. Në fund, ideja është e thjeshtë: truri ka nevojë për sfida, ndryshim dhe ndërveprim. Ndoshta pyetja më e mirë nuk është “A kam punën e duhur për trurin tim?”, por: “Çfarë po bëj çdo ditë që e detyron trurin tim të mësojë diçka të re?”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto